Haziri: UÇK-ja nuk mbrohet me deklarata, ligji për Dhomat e Specializuara duhet të votohet

Organizatori i protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, u është drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës me kërkesën që të ndërmarrin veprime konkrete lidhur me Dhomat e Specializuara. Në fjalimin e tij në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, Haziri ka përmendur ish-krerët e UÇK-së që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë. “Sot njerëzit që…

Lajme

28/09/2026 21:26

Organizatori i protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, u është drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës me kërkesën që të ndërmarrin veprime konkrete lidhur me Dhomat e Specializuara.

Në fjalimin e tij në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, Haziri ka përmendur ish-krerët e UÇK-së që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.

“Sot njerëzit që po mbajnë mbi supe peshën më të rëndë të këtij procesi janë mijëra kilometra larg nesh. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Cali e Pjetër Shala. E ndërsa ata janë atje, ne kemi një përgjegjësi këtu: ta mbrojmë atdheun, ta mbrojmë UÇK-në tonë”, ka thënë Haziri.

Ai ka komentuar edhe deklaratën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara.

“Sot Kuvendi miratoi një deklaratë lidhur me atë aktgjykimin e famshëm të Hagës. Dhe ajo deklaratë sot na tregoi diçka: kur ekziston vullneti, ky kuvend di të bëhet bashkë”, ka deklaruar ai.

Haziri ka bërë dallim mes deklaratës së miratuar dhe miratimit të një ligji.

“Deklarata që miratuat sot shpreh qëndrim, ndërsa ligji që kërkojmë ne prodhon pasojë. Deklarata mbetet letër, e ligji vepron!”, ka thënë ai.

Në fund, Haziri ka kërkuar votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

“Prandaj UÇK-ja nuk mbrohet me deklarata. UÇK-ja jonë kërkon veprim. Dhe kërkesa jonë ndaj jush është e qartë: ligji për Dhomat e Specializuara duhet të votohet!”, ka përfunduar Haziri. /Lajmi.net/