Ministria e Mbrojtjes emëron drejtues të Zyrës Ligjore ish-të akuzuarin për korrupsion
Abdylkadër Muçaj është emëruar drejtues i Zyrës Ligjore në Ministrinë e Mbrojtjes.
Lajme
Por, ai nga Gjykata e Prishtinës në vitin 2019 ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me një vit burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare duke qenë drejtor i Departamentit Ligjor dhe të Licencimit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave [ARH].
Më pas në janar të vitit 2020 Gjykata e Apelit e kishte liruar nga akuza Muçaj.
Ai dyshohej se në vitin- 2014 në cilësinë e personit zyrtar, përkatësisht Drejtorit/Kryesuesit të Departamentit Ligjor dhe Licencim të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave (ARH), në emër të institucionit të lartcekur, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me dashje direkte, ka lëshuar vendimin me të cilën ka revokuar në mënyrë të kundërligjshme licencën për transport hekurudhor të mallrave të ndërmarrjes “Railtrans” L.L.C. me seli në Prishtinë.
Gjykata e Apelit përmes një njoftimi për media ka konstatuar se Muçaj ka vepruar në përputhje me autorizimin e tij dhe se nuk i ka tejkaluar autorizimet.
Aktakuza ndaj tij ishte ngritur në tetor të vitit 2015.
Emërimi i tij në Ministri të Mbrojtjes është konfirmuar nga zyrtarë të kësaj ministrie.
Nga Ministria e Mbrojtjes e kanë konfirmuar se Muçaj është emëruar në këtë pozitë dhe se më parë i njëjti kishte punuar si drejtor Ligjor në Autoritetin Rregullativ të Hekurudhave.
“Sipas Ligjit Nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publik, neni 52 Ministria e Mbrojtjes ka bërë plotësimin e përkohshëm, përmes transferit për një periudhë deri në gjashtë (6) muaj, pozitën e Drejtorit të Departamentit Ligjor, me z. Avdylkader Muqaj, i cili ka qenë Drejtor Ligjor në Autoritetin Rregullativ të Hekurudhave.” – ka thënë zëdhënësi i kësaj ministrie, Ibrahim Shala, për Periskopin.
Muçaj ka zëvendësuar në këtë detyrë Krenare Sogojeva-Dermakun, e cila ishte emëruar nga Qeveria Kurti para pak ditësh në pozitën e Komisioneres së Agjencisë së Privatësisë.