“Lufta” ndërmjet Superligës dhe UEFA-së afër të përfundojë
Beteja ndërmjet Superligës Evropiane dhe UEFA-së është gati të përfundojë.
Sport
UEFA ditë më parë ka bërë të ditur që ka suspenduar hetimet ndaj Barcelonës, Juventusit dhe Real Madridit për thyerjen e ligjeve shkaku i krijimit të Superligës Evropiane.
Barcelona, Juventusi dhe Real Madridi mbeten ende pjesë e Superligës Evropiane dhe kanë deklaruar se do të luftojnë me çdo mjet të mundshëm, pasi sipas tyre nuk është thyer asnjë ligj me veprimin e tyre.
Për të përmirësuar gjërat për ta, Gjykata e Madridit vendosi që ta dërgojë çështjen e Superligës në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.
Tani, topi është në fushën e UEFA-së dhe ata po bëjnë lëvizjen e parë.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, lufta ndërmjet Superligës dhe UEFA-së mund të përfundojë me një gjobitje të vogël dhe një reformë në Ligën e Kampionëve.
UEFA është e gatshme të lëshojë pe që të bëjë një penalizim të vogël për klubet e mbetura në Superligë, dhe të pranojë që të bëhen reforma në Ligën e Kampionëve.
Për ta zgjidhur problemin, klubet do të duhet të paguajnë disa milionë euro gjobitje dhe të japin për bamirësi 5%, siç kishin bërë klubet angleze. Ndërsa në këmbim, UEFA do të punojë në një reformë të Ligës së Kampionëve që i kënaq të gjithë./Lajmi.net/