Haradinaj-Stublla: KQZ më konfirmoi se vendimi për diasporën është marrë unanimisht nga të gjitha partitë politike

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, se nuk do të lejohen të votojnë mërgimtarët me postë, në rast se nuk lajmërohen në telefon.

Lajme

11/01/2021 20:00

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj-Stublla tha se vendimi i fundit i nxjerr nga KQZ-ja për Verifikimin e Aplikacioneve për Regjistrim të Votuesve jashtë Kosovës, sipas Dakës, është një veprim që është ndërmarrë për të evituar keqpërdorimet e mundshme të votimit nga jashtë.

“Pas shqetësimeve të ngritura nga diaspora jonë, pata një bisedë telefonike me Kryetaren e KQZ-së Znj. Valdete Daka. Biseduam për vendimin e fundit të nxjerrë nga KQZ-ja për Verifikimin e Aplikacioneve për Regjistrim të Votuesve jashtë Kosovës, i cili sipas znj. Daka, është një veprim që është ndërmarrë për të evituar keqpërdorimet e mundshme të votimit nga jashtë”, ka thënë Haradinaj-Stublla.

Ajo po ashtu ka thënë se nga Daka është informuar se vendimi është marrë unanimisht nga të gjithë përfaqësuesit e partive politike në KQZ, shkruan lajmi.net.

“Nga Kryetarja Daka u informova se vendimi është marrë unanimisht nga të gjithë përfaqësuesit e partive politike në KQZ, duke dëshmuar gatishmërinë e të gjithë spektrit politik për zgjedhje demokratike e me standarde të larta e gjithëpërfshirëse. Shfrytëzova rastin për të falënderuar Kryetaren Daka dhe KQZ-në për angazhimin e tyre intensiv për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit”, ka shkruar tutje ajo.

Tutje Haradinaj-Stublla ka thënë se Daka e ka siguruar që e drejta kushtetuese nuk do t’i mohohet askujt nga diaspora.

“Kryetarja gjithashtu më siguroi se e drejta kushtetuese nuk do t’i mohohet askujt nga diaspora jonë, dhe se procedura shtesë e verifikimit do të bëhet me qëllim evitimin e praktikave te dëmshme të dëshmuara në proceset zgjedhore të kaluara, që kanë sjellë ankesa mbi votat e ardhura me vonesë, duke vonuar certifikimin e rezultatit përfundimtar. Diaspora është pasuri dhe vlerë e shtuar e Kosovës dhe gjithmonë do ta ketë përkrahjen dhe vëmendjen tonë të pandërprerë”, përfundon Haradinaj-Stublla.

Ndryshe ky vendim i KQZ-së ka ngjallur reagime të shumta në vend, madje është quajtur vendim antikushtetues.

Analisti politik dhe njohësi i çështjeve juridike, Vigan Qorrolli, e ka vlerësuar antikushtetues këtë vendim të KQZ-së, derisa thotë se një vendim i tillë në aspektin juridik i shkel liritë dhe të drejtat e njeriut, ndërsa në aspektin politik i cenon garancitë e një procesi zgjedhor fer dhe të drejtë.

Ndaj këtij vendimi të KQZ-së kanë reaguar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Anëtarja e kësaj partie, Albulena Haxhiu tha se KQZ në vend që të inkurajojë mërgatën për regjistrim për të votuar në këto zgjedhje, duke ua lehtësuar procedurat, ata bëjnë të kundërtën. /Lajmi.net/

LEXO EDHE: 

“Vendimi i KQZ-së për votuesit jashtë vendit antikushtetues”

 

KQZ-ja do telefonojë votuesit jashtë vendit, nëse nuk lajmërohen e humbin të drejtën e votës