“Vendimi i KQZ-së për votuesit jashtë vendit antikushtetues”

Analisti politik dhe njohësi i çështjeve juridike, Vigan Qorrolli, e ka vlerësuar antikushtetues vendimin e sotëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku është paralajmëruar se votuesit jashtë vendit, ata që aplikojnë për votim, do të telefonohen nga KQZ-ja, e në rast se nuk lajmërohen, do të humbin të drejtën e votës.

Lajme

11/01/2021 18:07

Përmes një postimi në Facebook, Qorrolli thotë se një vendim i tillë në aspektin juridik i shkel liritë dhe të drejtat e njeriut, ndërsa në aspektin politik i cenon garancitë e një procesi zgjedhor fer dhe të drejtë.

“Ky është një vendim antikushtetues ‘par excellance’ – sepse asnjë shtetasi të Republikës së Kosovës, nuk mund t’i cenohet e drejta për të zgjedh dhe për t’u zgjedhur – e garantuar me nenin 45 të Kushtetutës. Një vendim që në aspektin juridik i shkel liritë dhe të drejtat e njeriut, ndërsa në aspektin politik i cenon garancitë e një procesi zgjedhor fer dhe të drejtë!”, ka shkruar Qorrolli.

Ndaj këtij vendimi të KQZ-së kanë reaguar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Anëtarja e kësaj partie, Albulena Haxhiu tha se KQZ në vend që të inkurajojë mërgatën për regjistrim për të votuar në këto zgjedhje, duke ua lehtësuar procedurat, ata bëjnë të kundërtën, transmeton lajmi.net.

Sipas saj, ua shtojnë kriteret jo kushtetuese dhe të paligjshme.

Ndërkohë, sipas vendimit të KQZ-së: “I. Prej një e-mail adrese, aplikuesi mund të aplikojë për vete dhe për rrethin e ngushtë familjar, që kanë të njëjtin mbiemër;

II. Në formularët e aplikimit për regjistrim, aplikuesi të shënojë vetëm numrin e tij të telefonit dhe jo të ndonjë familjari;

III. KQZ-ja do të verifikojë procesin e aplikimit për regjistrim, duke i kontaktuar të gjithë aplikuesit përmes telefonit;

IV. Nëse aplikuesi nuk lajmërohet në telefon atëherë aplikacioni i tij do të refuzohet”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/ 

 

LEXO EDHE: 

KQZ-ja do telefonojë votuesit jashtë vendit, nëse nuk lajmërohen e humbin të drejtën e votës