Kosova përfshihet në aksionin e Interpolit ku u arrestuan 166 persona

Interpoli dhe Europoli kanë zhvilluar një aksion ku janë arrestuar 166 persona.

Lajme

30/09/2020 20:26

Aksioni është zhvilluar në Evropën Juglindore kundër migrimit ilegal trafikimit me armë zjarri dhe trafikimi me drogë.

Operacioni është zhvilluar nga data 24 e deri më 27 shtator, i koordinuar nga platforma multidisiplinore evropiane kundër kërcënimeve kriminale (EMPACT) dhe i udhëhequr nga Guardia Civile e Spanjës, i bashkoi 33 shtete në luftimin e krimit.

Në këtë aksion ishin të përfshirë rreth 9 mijë oficerë të zbatimit të ligjit, përfshirë këtu edhe oficerë të Policisë.

Janë kontrolluar mbi 390 mijë individë dhe mbi 44 mijë automjete në pikëkalime kufitare.

Shtetet që kontribuuan në këtë aksion ishin: Shqipëria, Austria, Bullgaria, Bosnja, Kroacia, Qipro, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Irlanda, Hungaria, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Moldavia, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia Veriore, Polonia, Portugalia, Rumania, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Britania, Ukraina dhe SHBA.

INTERPOL-i njofton se Kosova ishte e përfshirë si palë e tretë.