Veteranët protestojnë me 9 korrik, por jo në Prishtinë: Kjo është strategjia e tyre

Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së dhe Shoqata e ish-të Burgosurve Politikë nuk kanë hequr dorë nga protesta e 9 korrikut, pavarësisht thirrjeve që ajo të mos mbahet për shkak të gjendjes me pandemi.

Lajme

07/07/2020 14:55

Nasim Haradinaj, nga kjo organizatë, tha sot në një konferencë për media se protesta do të mbahet në të gjitha komunat me nga 99 persona si shenjë e vitit 1999 kur Serbia mori goditjen përfundimtare në Kosovë.

“Ne i jemi drejtuar IKSHPK që të na sugjerojnë mendimin e tyre profesional. Ne sot kemi marrë përgjigje dhe na kanë thënë se nuk preferojnë veprime të tilla sepse rrezikojmë shëndetin e popullatës. Prandaj, ne nuk duam që të marrin përgjegjësi qoftë edhe për një individ, andaj në protesta do t’i delegojmë kryetarët e degëve që të organizojnë në ditën e njëjtë, në orën e njëjtë, me nga 99 persona. Protesta ndërron taktikë, qasje, ku nuk rrezikohen qytetarët. Pra, degët e shoqatave, dhe degët e veteranëve marrin autorizimin për të organizuar protestën. Ne do ta mbajmë në Prishtinë me 99 persona”, tha ai.

Haradinaj tha se me këtë protestë po i drejtohen bashkësisë ndërkombëtare, pas propozim-aktakuzës ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli për kinse krime lufte, e të cilat këta dy të fundit i kanë hedhur poshtë si të pavërteta.

“Ne po i drejtohemi edhe drejtësisë ndërkombëtare, që tregoi se është politike. Nuk po ndjek individët. Kjo është vetëm protesta e parë, por tani për tani është ky hap “, tha ai.

Kryetari i OVL UCK-së Hysni Gucati, tha se në gusht do t’i drejtohen Kuvendit që të mos i vazhdohet mandati Gjykatës Speciale.

“Ne do t’i drejtohemi Parlamentit që të mos i vazhdohet mandati kësaj gjykate “, tha ai, duke shtuar se me të gjitha grupet parlamentare do të diskutojnë dhe beson se do të gjejnë mirëkuptim në kërkesat e tyre.