Avokatja e Jakup Krasniqit paralajmëron ankesë: Mbrojtësit e jetës dhe lirisë, për të cilat UÇK-ja synoi dhe punoi, nuk mund të paraqiten tani si keqbërës të historisë

Pas shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë, avokatja kryesore e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, ka bërë të ditur se ekipi mbrojtës do ta apelojë vendimin. Duke shprehur zhgënjimin e thellë të mbrojtjes, ajo ka theksuar se provat e paraqitura gjatë gjykimit dëshmonin pafajësinë e plotë të tij, transmeton lajmi.net. “Është tashmë e…

Lajme

17/09/2026 22:36

Pas shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë, avokatja kryesore e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, ka bërë të ditur se ekipi mbrojtës do ta apelojë vendimin.

Duke shprehur zhgënjimin e thellë të mbrojtjes, ajo ka theksuar se provat e paraqitura gjatë gjykimit dëshmonin pafajësinë e plotë të tij, transmeton lajmi.net.

“Është tashmë e qartë se do ta apelojmë këtë aktgjykim. Qëndrimi ynë është se rezultati i vetëm i përshtatshëm, bazuar në provat, ishte shpallja i pafajshëm e Jakup Krasniqit për të gjitha akuzat,” ka deklaruar Alagendra.

Avokatja ka vënë në pah edhe rrethanat e paraburgimit, duke përmendur se Krasniqi është afër moshës 76-vjeçare dhe tashmë ka kaluar afro gjashtë vjet prapa grilave në kuadër të këtij procesi gjyqësor.

Ajo ka shtuar se gjatë gjykimit që zgjati mbi dy vjet, asnjë dëshmitar i thirrur nuk ka dëshmuar se është keqtrajtuar nga ai apo në praninë e tij. Përkundrazi, dëshmitarë ndërkombëtarë dhe të prokurorisë e kanë paraqitur atë si një lider të moderuar dhe demokrat.

Alagendra ka përcjellë gjithashtu mesazhin se ish-kryeparlamentari mbetet krenar për kontributin e tij në luftën për liri dhe se ndien mirënjohje të thellë për mbështetjen e qytetarëve të Kosovës.

“Historia nuk mund të rishkruhet. Mbrojtësit e jetës dhe lirisë, për të cilat UÇK-ja synoi dhe punoi, nuk mund të paraqiten tani si keqbërës të historisë,” u shpreh ajo, duke shtuar se ekipi mbrojtës do t’i shfrytëzojë të gjitha mjetet e duhura juridike për të kërkuar drejtësi./lajmi.net/