I dërguari i LDK-së pas takimit me Grenellin: SHBA kërkon me ngulm heqjen e taksës pa kushte
Zyrtari i lartë i LDK-së, Skënder Hyseni është i dërguari i kësaj partie në bisedime me ambasadorin e SHBA-së Richard Grenell.
Lajme
Ai ka treguar se ka pasur një takim me Grenellin në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, transmeton lajmi.net.
“Ambasadori Grenell kërkojnë me ngulm heqjen e menjëhershme dhe pa kushte të tarifës ndaj mallrave nga Serbia, që t’i hapet rrugë dialogut Kosovë-Serbi i cili duhet dhe do të përmbyllet me njohje të ndërsjellë”, njofton Hyseni.
Kujtojmë, se SHBA ka kërkuar nga Kosova heqjen e menjëhershme të taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, ndryshe janë paralajmëruar sanksione.
Shkrimi i plotë i tij:
Sot pata një takim të gjatë me Ambasadorin Richard Grenell në Shtëpine e Bardhë në Washington
Me autorizimin e Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, sot, në cilësinë e anëtarit të Kryesisë dhe Sekretarit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të LDK-së, u prita në Shtëpinë e Bardhë në Ëashington nga i Dërguari i Posaçëm i Presidentit Trump, Ambasadori Richard Grenell.
Gjatë një takimi të gjatë dhe shterues, bisedën e përqendruam në aspekte të veçanta të zhvillimeve në Kosovë dhe rajon.
I përkushtuar fuqishëm për të çuar Kosovën dhe rajonin përpara drejt një zhvillimi dinamik ekonomik, Shtëpia e Bardhë dhe Ambasadori Grenell kërkojnë me ngulm heqjen e menjëhershme dhe pa kushte të tarifës ndaj mallrave nga Serbia, që t’i hapet rrugë dialogut Kosovë-Serbi i cili duhet dhe do të përmbyllet me njohje të ndërsjellë.
Amerika është aleat i palëkundshëm i Kosovës dhe popullit të saj dhe mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj interesave jetike të saj.
Por, Amerika nuk mund ta mbrojë Kosovën nga vetvetja, përkatësisht nga sjelljet e papërgjegjshme të Qeverisë dhe liderëve të saj, ishte mesazhi i Ambasadorit Grenell, duke shtuar se Amerika nuk mund të vazhdojë të shpenzojë qindra miliona dollarë për ushtri dhe ndihma e projekte tjera në një vend ku qeveria punon kundër interesave të qytetarëve të saj.
E sigurova Ambasadorin Grenell se për LDK-në dhe popullin e Kosovës, partneriteti strategjik dhe miqësia e veçantë me SHBA-të janë të shenjta dhe të pazëvendësueshme.
LDK kurrë nuk do te lejojë qe ky partneritet të prishet.
LDK mbetet e përkushtuar dhe e vendosur që të koordinohet dhe harmonizohet ngushtë me SHBA-të në çdo fushë.
LDK pajtohet dhe mbron qëndrimin që tarifa të hiqet menjëherë dhe pa kushte, ashtu siç kërkohet nga Presidenti Trump.
Partneriteti me Amerikën nuk ka alternative. /Lajmi.net/