Uji i kontaminuar rrezikon nxënësit në Viti
Muhabi Ismajli ka tre fëmijë të cilët vijojnë mësimin në shkollën fillore “Kenan Halimi”, në fshatin Skifetraj në Viti.
Lajme
Uji me të cilin furnizohet kjo shkollë rezulton të jetë i rrezikshëm për shëndetin e fëmijëve.
Muhabiu është i frikësuar që ndonjëri nga tre fëmijët do ta përdorë këtë ujë për pije në kohën sa ata janë në shkollë.
“Problemi është shumë i madh sidomos në shkolla, për në shtëpi sërish që thonë, ia bën një zgjidhje, por për në shkollë, gjithmonë me shishe duhet bartur (ujin). Duhet të marrin me shishe ujin ose (ta blejnë) në shitore. Shqetësimi është tepër i madh, ndoshta njëherë i harxhohet uji, mbush aty, pinë i shfaqet ndonjë sëmundje ose apo diçka tjetër. Uji është i papijshëm sidomos në shkolla është katastrofë”, thotë Ismjali për Radion Evropa e Lirë.
Në mungesë të ujit të pijshëm nëpër shkolla, prindërit u japin me vete fëmijëve shishe me ujë.
Por, kjo sipas Muhabiut, nuk e zvogëlon rrezikun që fëmijët mund të rrezikohen nga përdorimi i ujit të kontaminuar.
“Frikësohem se po pinë ujë këtu sepse uji është i papijshëm. Si çdo prind, gjithkush ka dëshirë që uji të jetë i pijshëm edhe në shkolla, siguri të ketë gjithkund, jo vetëm për ujë, por për gjithçka, për ujë më së shumti. Tre fëmijë i kam, që të tre nga një shishe me ujë e marrin me vete non-stop”, tha Ismjali.
Sekretari i kësaj shkolle, Demush Sadiku, thotë se në analizat që i bëhen, uji vazhdimisht rezulton i kontaminuar dhe se e vetmja zgjidhje është lidhja në ujësjellës.
“Ne furnizohemi nga pusi që është në oborr të shkollës, njëkohësisht ujësjellësi i fshatit nuk funksionon dhe pusi është në një thellësi 65 metra, nga ky furnizohemi. Me analizat e kohëpaskohshme, në këto analizat e fundit ka dalë jo i përshtatshëm për pije që duhet të dezinfektohet, kimikisht është …mirëpo ndërsa bakterialisht nuk është i pijshëm”, tha Sadiku.
Ujë të kontaminuar kanë edhe nëntë shkolla të tjera në Viti.
Qendra Regjionale e Shëndetit Publik në Gjilan ka bërë analizat e ujit në 11 shkolla fillore të kësaj komune, dhjetë prej të cilave kanë rezultuar se kanë kontaminim biologjik dhe kimik.
Që nga viti 2009, Nezir Hasani është drejtor i shkollës fillore “Nazmi Pajaziti” në fshatin Radivojc të Vitisë.
Edhe kjo shkollë ka problemin e njëjtë. Uji nuk është i pijshëm dhe analizat vazhdimisht tregojnë se pusi nga i cili furnizohet shkolla përmban kontaminim bakteriologjik.
“Në realitet, janë të njoftuar qysh në fillim, d.m.th, para shtatë apo tetë vjetësh janë njoftuar se uji nuk pihet dhe asnjë nxënës deri më tash nuk e kemi pasur që ka pasur pasoja prej kësaj. Prandaj edhe prindërit edhe këta janë të njoftuar, pra shumica prej tyre (nxënësve) marrin ujë nga shtëpia edhe pse katër-pesë orë marrin nga një shishe të vogël, por dikush blenë edhe lëngje kështu që nuk ka pasur probleme me këtë asnjëherë sepse kanë qenë të paralajmëruar edhe pse qe një vit e këndej d.m.th ende se kemi bërë testimin e ujit në shkollë”, thotë Hasani.
Publikimi i analizave ka shtyrë Komunën e Vitisë që të fillojë klorizimin e puseve nga të cilat furnizohen shkollat, megjithatë në këtë komunë thonë se pavarësisht mirëmbajtjes dhe kujdesit, kjo nuk është zgjidhje afatgjatë.
Drejtoresha për Arsim në këtë komunë, Fatbardha Emini, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk mund të pritet ndonjë zgjidhje e shpejt sa i takon eliminimit të rrezikut nga uji i kontaminuar.
“Ne si menaxhment i shkollave në këtë rast, të them të drejtën edhe ne jemi të shqetësuar, por duke e ditur natyrën e problemit, po shpresoj se shumë shpejt do të bëhet edhe shtrirja e ujësjellësit sepse është në fazën e implementimit nëpër këto lokalitete dhe po besoj që edhe kjo çështje do të zgjidhjet njëherë e përgjithmonë. Me rëndësi është që ne të marrim masa që nxënësit tonëtë jenë të mbrojtur nga uji i cili është jo i pijshëm. Ne këto masa i kemi marrë në koordimin me drejtorët, me mësimdhënësit. Jemi duke e bërë klorizimin e këtyre puseve, por prapë nuk na jep siguri që ky ujë është i pijshëm. Kjo ndryshon nga kushtet atmosferike që ndodhin, ndërsa shkollat qe furnizohen me ujësjellës uji është i pijshëm”, thotë Emini.
Për rrezikun me të cilin përballën nxënësit e shkollave ka alarmuar Instituti Demokratik i Kosovës.
Besjan Haziri nga ky institut thotë se puset nuk mirëmbahen dhe se vazhdojnë të mbesin kërcënim i vazhdueshëm për fëmijët, sidomos ata të shkollave fillore.
“Kemi parë një jokujdesi ndaj këtyre puseve me të cilat furnizohen shkollat e komunës së Vitisë e cila rezulton direkt në kontaminim nga faktorët e jashtëm. Sipas ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik, në rast të përdorimit të vazhdueshëm të këtij uji mund të shfaqën sëmundje të ndryshme infektive te fëmijët, prandaj ne si KDI e konsiderojmë goxha gjendje të jashtëzakonshme ku komuna duhet të marrë hapa të vazhdueshme për krijimin e një politike, e cila do të bënte pastrimin, klorizim dhe mirëmbajtje të vazhdueshme të këtyre puseve”, thotë Haziri.
Shumë prej fshatrave të Vitisë kanë problem me ujë të pijshëm.
Mijëra banorë të kësaj komune përdorin puset për furnizim me ujë gjë që bënë që edhe ata të jenë të ekspozuar nga rreziku i paraqitjes së sëmundjeve të ndryshme.