Neymar tek Barca? Në lojë futet edhe Juventus me Dybala – gjithçka në ‘mjegull’
‘Telenovela’ Neymar po vazhdon të jetë tema kryesore në mediet evropiane, me merkaton që po ecën drejt ditëve të fundit.
Sport
Ylli brazilian i futbollit ka zënë qendrën e vëmendjes tash e ca kohë, me emrin e tij që lidhet me një largim potencial nga skuadra e Paris Saint Germain.
Barcelona është skuadra që lidhet më së shumti me emrin e Neymar, pasi lojtari disa herë ka shprehur dëshirën të rikthehet në ‘Camp Nou’, në mënyrë që të luajë krahë Lionel Messi, që dikur largohej nga ‘hija e tij’, për të mos parë asnjëherë dritën.
Gjithsesi, përkundër dëshirës së Neymar dhe skuadrës së Barcelonës, është skuadra e PSG ajo që në mënyrë indirekte po pengon procesin e rikthimit, me kërkesat e saj të larta.
Së fundmi, mediet në Itali raportojnë se PSG po interesohet për Paulo Dybala, duke futur kështu edhe Juventusin në ‘lojën’ e fatit të Neymar, shkruan lajmi.net.
Dybala do të ishte një zëvendësues potencial për Neymar JR, duke zbutur kështu kërkesat e parisienëve, gjë që do të lehtësonte kalimin e Neymar drejt La Liga, me destinacionin favorit ‘Camp Nou’, por edhe ‘Santiago Bernabeu’, që së fundmi i është bashkuar thashethemeve.
Kampionët e Ligue 1 janë të gatshëm t’i ofrojnë argjentinasit një kontratë pesë vjeçare që do t’i siguronte atij 12 milionë euro në vit. Për të përballuar këtë pagë, ata do duhet që të heqin dorë nga shifrat astronomike të pagës së Neymar, me brazilianin që është i gatshëm të heq gjysmojë pagën e tij, vetëm për të kaluar tek Barcelona.
Kështu, fati i Neymar tashmë është edhe në duart e Dybala dhe Juventus. Një marrëveshje potenciale mes ‘Zonjës së vjetër’ dhe parisienëve për Dybala, do të hapte dyert për largimin e Neymar drejt Barcelonës, apo në rastin ekstrem edhe tek Real Madrid, shkruan lajmi.net.
Neymar kishte kaluar tek PSG për shumën e 222 milionëve, shifër që kërkohet nga PSG për ta liruar mbrapsht lojtarin. Kjo shifër u tentua të paguhej nga Barca duke përfshirë edhe dy lojtarë në ofertë, por që nuk zgjuan dëshirën e PSG.
Deri në fund të merkatos, braziliani do të synojë me çdo kusht të largohet nga Parisi, ku thotë se ndihet jo i lumtur. Ai po lëshon edhe deklarata provokuese duke kujtuar përmbysjen me Barcelonën dhe gjëra të tilla, në mënyrë që të ftohë raportet me skuadrën. Mbetet të shihet cila do të jetë e ardhmja për Neymar. Kartat tashmë luhen edhe nga Juventus. /Lajmi.net/