LD-ja s’ka vija të kuqe, Çerkezi thotë se duan ndryshime në Kosovë
Lëvizja për Drejtësi nuk ka vija të kuqe me asnjë parti.
Lajme
Kryetari i partisë “Lëvizja për Drejtësi”, Sylejman Çerkezi është shprehur i gatshëm për koalicione parazgjedhore dhe nuk ka përjashtuar asnjë subjekt politik, por që thotë se janë të interesuar të bashkëpunojnë me parti të cilat duan ndryshime.
Çerkezi që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 ishte pjesë e listës së LDK-së, thotë se do të presin shpërndarjen e Kuvendit dhe më pas do të nisin bisedimet për ndonjë koalicion të mundshëm.
“Mundësitë e koalicioneve janë edhe mundësia për të garuar vetëm janë. Nuk e kemi nda akoma është akoma herët që të shpërbëhet kuvendi. Pas datës 22, sigurisht që do të ulemi dhe do të bisedojmë edhe me subjektet e tjera politike, por edhe me Këshillin Drejtues. I takon Lëvizjes për Drejtësi për të marr një vendim të duhur të matur”, thotë ai në një intervistë për EO.
Çerkezi thotë se kanë oferta të ndryshme për bashkëpunim, por nuk duan siç i quan ai “oferta biznesi”, por janë të interesuar për oferta programore.
“Oferta janë nga më të ndryshmet, por ne nuk jemi të interesuar për oferta biznesi, nuk jemi të interesuar vetëm për oferta vetëm sa për sy e faqe. Jemi të interesuar për oferta programore dhe jemi të interesuar që ky vend të ndryshojë dhe të ketë një legjislaturë tjetër, të ketë një Kuvend ndryshe një qeveri ndryshe”, thotë ai.
Ish- deputeti i dikurshëm nga radhët e Partisë së Drejtësisë, shprehet se politika kosovare nuk duhet të përdorë “vija të kuqe”, pasi siç thotë ai, në vazhdimësi është dëshmuar se nuk janë respektuar parimet nga ata që i proklamojnë ato.
“Vijat e kuqe në Kosovë nuk qojnë peshë, ne kemi vija të portokallta sepse ato po thyhen gjatë gjithë kohës. Sistemi në Kosovë është i tillë që duhet të bashkëpunojmë me të gjitha subjektet politike dhe bashkëpunimi me subjekte të ndryshme është i domosdoshëm sepse jemi kolegë. Por dallimi është në atë se çfarë duam në qoftë se subjektet politike janë për të ndryshuar atëherë ne jemi për këto punë, me subjekte të cilat duan të ndryshojnë politikbërjen e këtij vendi të deritanishme ne jemi me ndryshimin”, thotë ai.
Lëvizja për Drejtësi, doli si fraksion i Partisë së Drejtësisë në vitin 2016, për t’u themeluar si parti në vitin 2018.