Miliona euro për rezidencën qeveritare

Qindra miliona euro do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës vetëm shpronësimi i pronave në Hajvali, ku pritet të ndërtohet Rezidenca qeveritare.

Lajme

06/05/2018 22:16

Për këtë punë vendimi është marrë në Qeveri.

Megjithatë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e cila është vet inicuese dhe përgjegjëse e këtij vendimi, nuk po tregon se sa është sipërfaqja e “truallit” të ri qeveritar.

Edhe pse Ministria po e mban të fshehtë këtë çështje, ditëve të fundit në media ka qarkulluar lajmi se sipërfaqja me interes të veçantë do të jetë rreth 1 mijë hektarë.

Këshilltari i ministres Reshitaj, Leutrim Sahiti ka deklaruar se pas vendimit të qeverisë, kërkohet faza e dytë që nënkupton identifikimin e pronave për shpronësim.

Për këtë proces, Sahiti thekson se ministria do të angazhojë një kompani private.

Sahiti shpreson që brenda vitit të përfundojë elaborati i shpronësimit, për të ditur me saktësi se cilat prona janë të përfshira në projekt.

Zëdhënësi i Ministrisë së Financave Muharrem Shahini deklaron se pa u bërë shpronësimi nuk do të ketë mjete dhe shumë të saktë për të blerë tokë për Qeverinë.

E për këtë projekt madhor, strukturën e saj nuk po e di saktë as Qeveria.

Sipas këshilltarit të kryeministrit Haradinaj, Haki Shatri, me buxhetin e vitit 2018 nuk ka mjete për këtë proces.

Vendimi për ndërtimin e Rezidencës qeveritare, u morrë në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur më 13 prill.