Ja si e mohon Vetëvendosje rolin e presidentit Ibrahim Rugova (Dokument)

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, jo vetëm që nuk kishte treguar fije respekti për presidentin historik Ibrahim Rugova, por edhe përvjetorët e tij i kishte bojkotuar në mënyrë të organizuar.

Lajme

21/07/2017 19:27

Madje, krerët dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, me vendim të Sekretariatit Organizativ, nuk kishin guxuar të merrnin pjesë as në aktivitetet e përvjetorit të ish-presidentit Rugova në vitin 2013-të, transmeton Indeksonline.

Mospjesëmarrja e organizuar e tyre kishte prodhuar jo pak debat, si brenda Lëvizjes Vetëvendosje, ashtu edhe jashtë saj.

Ish-lideri historik i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili vlerësohet si president historik, nuk shihej i denjë prej tyre për mitin që ishte krijuar rreth tij.

Për Lëvizjen Vetëvendosje, filozofia politike e Rugovës dhe e LDK-së kishte mbjellë mendimin në vitet e 90-ta se liria duhej të vinte nga jashtë dhe jo prej përpjekjeve nga brenda.

Madje, themelimin e LDK-së, ata e ndërlidhnin edhe me përfundimin e luftës së ftohtë.

Ky refuzim i organizuar i Ibrahim Rugovës nga Lëvizja Vetëvendosje e kishte detyruar sekretariatin e saj, që përmes Koordinatores për Qendra, Marigonë Drevinja, më 1 shkurt 2013 t’ua dërgonte edhe një dokument shpjegues për mospjesëmarrjen në aktivitetet e përvjetorit të Ibrahim Rugovës në vitin 2013-të.

Ky dokument ishte kërkuar që të lexohet me vëmendje prej tyre, të mos shpërndahej dhe të mos printohej.

Megjithatë, duke mos pranuar udhëzimet prej sekretariatit, dikush e kishte printuar dhe tash edhe po shpërndahet.

Edhe lidershipi i LDK-së para disa javësh kishte kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që t’i njihej roli i themeluesit të këtij shteti dhe roli historik i presidentit Ibrahim Rugova.

Ndërsa, nuk kishte vonuar shumë dhe kërkesës së Lutfi Hazirit prej LDK-së për njohjen e rolit të Rugovës, duke ia bërë qejfin i ishte përgjigjur deputetja Shqipe Pantina e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila kishte thënë se askush nuk e mohon rolin dhe kontributin e tij.