Ja pse PDK-ja e nominoi si kundërkandidat Rafet Ramën
Ndonëse shumëkush mund të jetë çuditur kur si kundërkandidat të Hashim Thaçit, vetë PDK-ja e nominoi edhe deputetin e saj Rafat Rama.
Lajme
Deputeti i PDK-së, po nga Drenica, u propozua gjatë seancës nga deputetja Ganimete Musliu dhe mori madje edhe vota në dy raundet e para.
Faktikisht ky nominim i koalicionit qeveritar kishte të bënte vetëm me përmbushjen e kritereve të vendosura nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit. Vendimi i lëndës së Gjykatës Kushtetuese me numër KO 29/11, i ashtuquajtur “Sabri Hamiti dhe deputetë të tjerë” për seancën parlamentare të zgjedhjes së Behgjet Pacollit president, ka përdorur si argument jo vetëm mungesën e kuorumit, por edhe mungesën e një kundërkandidati.
Kurse, ajo që vërehej shumë gjatë seancës së zgjedhjes së Thaçit president ishte përkujdesja e shtuar që bëri kryeparlamentari Veseli, që në çdo hap të ndiqeshin në mënyrë strikte të gjitha procedurat e zgjedhjes së presidentit, për t’ia pamundësuar kontestimin opozitës parlamentare.
Pas këtij vendimi, partitë u kujdesën që në çdo votim të kishte një kundërkandidat formal për të përmbushur çështjet kushtetuese, interpretimet e ligjeve të saj prej Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit të Kosovës.
Në seancën parlamentare të 6 prillit 2011, në të cilën u zgjodh presidente Atifete Jahjaga, koalicioni qeveritar propozoi gjithashtu si kundër-kandidate deputeten Suzan Novoberdaliu.
Këtë rol dje e kishte edhe deputeti i PDK-së, Rafet Rama. /Indeksonline/