Shqipëria nuk lejon hetimin e pasurisë së zyrtarëve kosovarë

Zyrtarët e Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK), nuk kanë qasje për hetimin e pasurisë së zyrtarëve që kanë pasuri në Shqipëri. Ky është një problem për agjencinë, ka thënë sot drejtori i AKK-së, HasanPreteni, gjatë hedhjes së shortit për kontrollimin e pasurisë .

Lajme

25/06/2015 14:35

Preteni po ashtu ka thënë se nuk është i kënaqur me punën e gjyqësorit, të cilët përkundër fakteve që i ofron agjencia nuk ngritën aktakuza.

“Kemi pasur dyshime së paku për tre zyrtarë që kanë pasuri edhe në vende të tjera kemi memorandum bashkëpunimi me së paku me dy shtete të regjionit , me Malin e Zi dhe Shqipërinë, por duhet të pranojë që problemi që se kemi pritur është mos qasja ose mos bashkëpunimi serioz me Shqipërinë, kur kemi kërkuar për këta zyrtarë të sigurojmë të dhëna për dyshimet tona që e kanë të regjistruar pasurinë atje “, u shpreh Preteni.

Numri një i Agjencisë Kundër Korrupsion, Hasan Preteni, tha se ata nuk janë aspak të kënaqur me punën e gjyqësorit në hetimin e lëndëve që kanë të bëjnë me deklarimin e pasurisë.

“Kodi penal ose penalizmi i veprave të mos deklarimit të pasurisë dhe deklarimit të rrejshëm nuk ja ka arrit qëllimit. Qëllimi ka qenë që të ashpërsohet kjo politikë ndëshkimore dhe të disiplinohen zyrtarët në obligimin që e kanë karshi ligjit për deklarimin e pasurisë , tha Preteni.

Ai po ashtu tha se në raportin e punës për vitin 2014, do të shihet që vitin e kaluar për deklarim të rrejshëm dhe për mos deklarim, në të gjitha fazat, janë bërë 91 kallëzime penale, ndërsa prej tyre gjykatat i kanë trajtuar vetëm 12 raste.