Një i vrarë dhe 9 të plagosur në një kafene të Tetovës
Një i ri shqiptar është vrarë dhe 9 të tjerë janë plagosur pas një sulmi me armë zjarri në një kafene në qendër të Tetovës. Incidenti i rëndë ka ndodhur mbrëmë, pak pas orës 22, në lokalin “Barcode”, në rrugën “Dervish Cara”, kur një person ka hapur zjarr me armë automatike brenda lokalit.
Lajme
Mësohet se viktima është 21-vjeçari Altrim Kasami nga fshati Poroj i Tetovës, i cili, bashkë me disa të plagosur të tjerë, është dërguar me urgjencë në Shkup, ku ka ndërruar jetë në spital pak pasi ka arrritur.
Vrasësi, për të cilin mësohet se policia tashmë e ka arrestuar, por identiteti i të cilit ende nuk është zbuluar, ka hyrë në lokal dhe, pas një kacafytjeje, ka nxjerrë armën kalashnikov dhe ka vrarë 21-vjeçarin.
Nga breshëria e armës automatike, të plagosur kanë mbetur të paktën 9 persona të tjerë, ndërsa disa mediume pohojnë se numri i të plagosurve është 11. Informatat zyrtare nga policia, e cila menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, priten brenda ditës së sotme.
Disa mediume njoftuan se incidenti i rëndë, që i mori jetën 21-vjeçarit, ka ndodhur për motive banale, respektivisht se vrasjes i ka paraprirë zënka shkaku i femrës