Komuna e Prishtinës e çon në prokurori çështjen e pronës afër QKUK-së

Komuna e Prishtinës e ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale kundër ish-zyrtarëve komunalë për rastin e dhënies në shfrytëzim të pronës publike për ndërtimin e spitalit privat në oborr të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Lajme

08/04/2015 08:14

Prokuroria ende nuk ka vendosur nëse kallëzimi penal i plotëson kushtet për të hetuar rreth kësaj çështjeje apo duhet të dërgohet në Prokurorinë Themelore.

Burimet i kanë thënë Kohës Ditore se qeverisja aktuale e Komunës së Prishtinës ka ngritur kallëzim penal kundër zyrtarëve të ish-ekzekutivit të Komunës së Prishtinës, lidhur me vendimin me të cilin mjekut Fatmir Dalladaku, i jepet me koncesion prona në afërsi të QKUK-së për ndërtimin e një qendre kardiake.

Tani në atë pronë pritet të fillojë punën Spitali Amerikan i Kosovës. Sipas Ligjit për shërbime spitalore, spitaleve private u ndalohet afërsia me QKUK-në deri në 1.5 kilometër.

Në dokumentet që posedon gazeta, nënshkruesit e kontratës me Dalladakun ishte Sami Hamiti, atëkohë kryeshef ekzekutiv i Komunës së Prishtinës. Hamitit thotë se nuk është në dijeni për kallëzimin pelant të Kosovës së Prishtinës dhe largon nga vetja përgjegjësinë në atë proces.

“Ka qenë kompetencë e Kuvendit Komunal. Kuvendi e ka marrë këtë vendim”, ka thënë ai. Ndërkaq, kontakti i gazetës me kardiokirurgun Dalladaku ka qenë i pamundur.

Asamblisti i tashëm i LDK-së në Prishtinë, Sami Hamiti, e konsideron si hap të mirë të nisjes së mundshme të hetimeve nga prokuroria për këtë çështje, pasi që, sipas tij, që nga koha kur është nënshkruar kontrata me Dalladakun, para nëntë vjetësh, gjendja ka ndryshuar.

Ai ka treguar se kur ishte dhënë prona e QKUK-së me koncesion qëllimi i ndërtimit të këtij spitali ishte për shërbimet që në atë kohë nuk ofroheshin në Kosovë. Hamiti konsideron se tash ky qëllim është devijuar.

“Projekti ka degraduar, sepse ai është ndarë për kardiokirurgji, ndërsa sot flitet se do të hapet për spital të përgjithshëm”, ka thënë ai.