Erion Veliaj manipulon foton e Pashkëve Katolike (Foto+Video)
Mediat në Shqipëri kanë zbuluar një manipulim të radhës nga Erion Veliaj, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, i cili po shkon drejt konfirmimit si kandidat i së majtës për Bashkinë e Tiranës.
Lajme
Pikërisht në funksion të këtij qëllimi, Veliaj nuk heziton aspak të manipulojë me një foto ku ai shfaqet krah për krah me Imzot Rrok Mirditën. Këtë foto Veliaj e shpërndau një ditë më parë në faqen e tij në Facebook, duke përcjellë urimin për Pashkët Katolike.
Në fakt kjo është një foto, që ministri Veliaj e ka postuar në 26 dhjetor të vitit të shkuar, atëherë kur ai takohej me Imzot Rrok Mirditën me rastin e Krishtlindjeve. Por përse Veliaj shmangu foton e vërtetë, që është shkrepur një ditë më parë në Kishën Katolike këtu në Tiranë? Thjesht sepse në atë foto, ai nuk ishte i vetëm me Imzot Rrok Mirditën, por shoqërohej nga dy prej rivalëve të tij brenda partisë, të cilët janë përfolur si kandidatë për Bashkinë e Tiranës, Blendi Klosi dhe Lindita Nikolla.
Ndonëse kjo e fundit ka lënë të kuptohet që nuk do të kandidojë për Tiranën, Blendi Klosi është në një garë sondazhesh brenda partisë bashkë me Erion Veliajn. Për ta shmangur apo “errësuar” prezencën e Blendi Klosit në takimin e djeshëm me Imzot Rrok Mirditën, por edhe për të treguar që vetëm ai ka qenë afër Imzot Rrok Mirditës, Veliaj zgjedh të postojë në faqen e tij një foto të vjetër të realizuar në Krishtlindje. Nga ana tjetër, duket se Veliaj, Klosi dhe Nikolla kanë shkuar si me porosi të kryeministrit Rama në Kishën Katolike.
Ministri Veliaj nuk e ka fshehur dot xhelozinë për të qenë i vetëm krah kreut të katolikëve shqiptarë, prandaj e ka fshehur foton kolektive. Ky akt i tij është ndër të tjera edhe tallje me besimtarët katolikë dhe festën e tyre të shënuar. Katolikët nuk i ngatërrojnë Krishtlindjet me Pashkët, ndërsa Veliaj, për t’i bërë publicitet vetes, i ngatërron dhe manipulon pa të keq fare. Nëse shikon me kujdes fotot, bie në sy që edhe veshja e përdorur nga Veliaj është po e njëjta. Pra, dje ai kishte po të njëjtën veshje që kishte pasur edhe për Krishtlindje. Kjo të lë të kuptosh se ka qenë i paramenduar mirë skenari për manipulimin e fotos. Po të rikthehemi pak pas në kohë, kjo nuk është hera e parë që Erion Veliaj bën akte të tilla manipulative. Kujtojmë që një ditë pas dasmës madhështore në kalanë e Gjirokastrës, Veliaj u serviri mendiave pamje sikur ai doli në punë të nesërmen e ceremonisë.
Bëhej fjalë për një takim në shkollën profesionale “Thoma Papapano” në Gjirokastër, takim që ishte zhvilluar disa ditë më parë, por ministri kërkoi t’ja shiste publikut si një takim të organizuar direkt një ditë pas ceremonisë martesore. Duke përdorur shprehjen e Edi Ramës, ministri Erion Veliaj është një manipulator me zë dhe figurë, për të disatën herë me radhë. A do të vendosë përfundimisht Rama, që ai të jetë kandidati për Tiranën? Mbetet të presim edhe disa ditë. (lapsi.al)