Bosch: Kosova ngeci mbrapa pasi politikanët rendën pas interesit personal
Ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, vlerëson se ditët e para të qeverisë së udhëhequr nga Isa Mustafa kanë qenë të këqija, por se sipas tij tashmë është duke shkuar mirë. Ai ka thënë se largimi i Listës Serbe nga institucionet nuk është problemi më i madh i Kosovës
Lajme
Në intervistën dhënë për Zëri, Bosch ka thënë se situata në vend po shkon mirë, veçmas në fushën e ekonomisë.
“Sigurisht që fillmi ka qeni keq, mirëpo mirë janë duke ecur. Janë marrë disa hapa të mirë, por prapë duhet kohë. Por duket se situata po shkon në një drejtim të mirë, sidomos në fushën e ekonomisë”, ka thënë ai.
Duke folur për ekonominë ne vend, ambasadori Bosch ka thënë se Kosova është vend i vogël dhe këtu mund të intervenohet shpejt. Por, ai ka ngritur një shqetësim të tij, se mentaliteti këtu ka bërë që të gjithë të mendojnë të pasurohen shpejtë, duke përfshirë dhe politikanët.
Si shembull për këtë argument të tij ai merr periudhën e pas zgjedhjeve të 8 qershorit, ku thotë se të gjithë politikanët, rendën pas “interesit personal”.
“Këtu ka shumë grupe që punojnë për interesin e vet e shumë pak punojnë për interesin e përgjithshëm. E patë pas zgjedhjeve të fundit se çfarë ndodhi. Të gjithë politikanët, më shumë e kanë shikuar interesin personal sesa interesin e vendit. Mentaliteti këtu, në përgjithësi është se njerëzit duan të bëjnë para në mënyrë të shpejtë, dhe nuk mendojnë për afat gjatë. Për të ndërtuar një vend, duket mendosh për më gjatë, të investosh tani e të fitosh më vonë. Në këtë drejtim duhet punuar”.
Ambasadori Bosch vlerëson se largimi i Listës Serbe nga institucionet nuk është problemi më i madh i Kosovës.
Por, ai iu bënë thirrje përfaqësuesve serbë që të kthehen në institucione, duke iu thënë që të “mos ankohen”, pasi që sipas tij, serbët në Kosovë nuk trajtohen keq.
“Unë mendoj se problemi ekonomik është problemi më i madh i Kosovës, më i madh se Lista Serbe. Mosmarrja pjesë e tyre në institucione të Kosovës, i dëmton vetë ata”.
“Po kam një mesazh. Ju lutem kthehuni në institucione, mos u ankoni, tregohuni të mirësjellshëm, dëshmoni që e doni këtë vend. Nuk është në rregull që gjatë gjithë kohës, të thuhet se serbët po jetojnë keq në Kosovë dhe se po trajtohen keq. Serbët nuk trajtohen keq në Kosovë, ata trajtohen mirë”, ka thënë ambasadori Robert Bosch.