Qeveria miraton draftligjin për përgjime
Qeveria e Kosovës e ka miratuar draftligjin për përgjime telefonike duke bërë që i njëjti të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës.
Lajme
Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, duke folur rreth këtij ligji të premten në mbledhjen e Qeverisë, tha se ai rregullon një aspekt të rëndësishëm të sigurisë kombëtare dhe bën pjesë në grupin e ligjeve me prioritet qeveritar dhe përmbushje të kritereve për liberalizimin e vizave.
Çollaku ka thënë se projektligji për përgjim është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me parimet e përgjithshme të BE-së.
“Projektligji garanton mbrojtjen e të drejtës së privatësisë, të dhënave personale si dhe burimeve gazetare. Ai është një instrument i rëndësishëm në duar të institucioneve të sigurisë. Jo vetëm për të mbrojtur sigurinë kombëtare, por edhe për të avancuar mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të Kosovës. Me të vendoset qartë që vetëm me një vendim të gjykatës mund të realizohen përgjimet”, tha Çollaku.
Ministri i Integrimeve Evropiane theksoi se projektligjit në mënyrë të qartë përcakton parimet themelore për përgjim, llojet e përgjimit, procedurën për përgjim, kufizimet në përgjim, sistemin e përgjimit, parimin e fshehtësisë së përgjimit, sigurimin e përgjimit, ruajtjen dhe shkatërrimin e të dhënave të përgjimit.