Nëna vdiq duke pritur kufomën e djalit të saj 16 vjeç, të vrarë gjatë luftës

Në Departamentin e Mjekësisë Ligjore të enjten u bë dorëzimi i 28 trupave të pajetë, të vrarë nga forcat ushtarako-policore serbe gjatë luftës në Kosovë, të gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi.

Lajme

02/04/2015 15:00

Mbetjet mortore të personave të vrarë që sot iu janë dorëzuan familjarëve të tyre, iu përkasin të zhdukurve nga fshati Rezallë i komunës së Skenderajt, të cilët pas vrasjes policia dhe ushtria serbe i kishte transportuar në Rashkë, me qëllim humbjen e gjurmëve tqë krimeve barbare që regjimi serb ushtronte ndaj civilëve shqiptarë.

Familjarët u shprehen se kishin humbur shpresën se një ditë do t’i gjenin trupat e pajetë të të afërmve të tyre, ndërsa sot u shprehen se do të ndihen më të lehtësuar pasi e dinë se ku do t’ju pushojnë eshtrat.

Bedrie Uka e cila sot pranoi trupat e pajetë të babit dhe vllahut të saj, tregon kur forcat paramilitare serbe ja kishin marrë vllahun, Përparimin, që asokohe ishte vetëm 16 vjeç.

Uka shprehet së nëna e saj, tashmë e ndier, kishte humbur shpresën se do t’i kthehet  trupi i djalit të saj, të cilin forcat serbe ia kishin marrë nga duart.

“Ajo nuk ka mund të qëndroj, ajo nuk ka shpresuar kurrë. Ishalla e kalojmë këtë, e bëjmë varrimin e tyre, se boll që 16 vjet kemi pritur, ka kaluar kohë e gjatë”, thotë Bedrie Uka nga fshati Morinë, por që tragjedia u kishte ndodhur në Rezallë.

Pa shpresa se do t’i gjenin trupat e familjarëve të tyre, u shprehen edhe anëtarë të tjerë që sot kishin ardhur në ceremoninë e dorëzimit të mbetjeve mortore.

Drejtori, i Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka thënë se javën e ardhshme do të bëhet edhe dorëzimi i disa mbetjeve të tjera mortore, që iu përkasin të zhdukurve nga komuna e Drenasit.

Ai ka thënë se vonesat kanë ndodhur pasi kanë pritur të gjitha analizat e ADN-së.

“Zgjatja e kohës së identifikimit është se kemi pritur të gjitha analizat e ADN-së për tu bashkuar pjesët e trupit.  Ju e dini fare mirë se mbetjet mortore kanë qenë të shkapërderdhur në terrene, me ekskavator, e janë lëvizur dy apo tre herë gjatë tërë kohës. 28 raste do t’i dorëzojmë komunës së Skenderajt dhe raste tjera do t’i dorëzojmë javën e ardhshme komunës së Drenasit”.

Karakteristikë është se 53 raste të gjetura në Rudnicë, 52 janë të identifikuar me ndihmën e familjarëve, kurse një rast nuk është identifikuar dhe dyshohet se bëhet fjalë për një mashkull të moshës së shtyrë, i cili ka mundur të jetë një mysafir apo kalimtar rasti që e kanë strehuar banorët.

Tarja Formisto nga EULEX-i, ka thënë me këtë rast se ACMP do të vazhdojë të qëndrojë edhe më tutje në Kosovë dhe do t’i përkrah gjetjen dhe identifikimin e mbetjeve mortore të të zhdukurve, siç ka bërë deri tani.

E pyetur se a duhet bërë më shumë për presionin Serbisë, lidhur me hapjen e lokacioneve tjera të dyshuara, ajo ka thënë se është çështje politike, mes Kosovës dhe Serbisë.

Më 5 prill të vitit 1999 serbët rrethuan shtëpitë e familjeve në Rezallë dhe pushkatuan pothuajse të gjithë, kryesisht burra e djem të rinj. Nga masakra e Rezallës, vetëm tre shpëtuan të gjallë. /KosovaPress/