‘Vrasësi’ i Nemstovit rrëfeu nën torturë
Zaur Dadayev, njëri prej dy të dyshuarve të akuzuar për vrasjen e politikanit të opozitës ruse, Boris Nemtsov, është torturuar përpara se të rrëfehej, ka thënë një anëtar i Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Rusi.

Bota
Andrei Babushkin, i cili e vizitoi në qendrën e paraburgimit të akuzuarin Dadayev, ka thënë se ka parë plagë të shumta në trupin e çeçenit të akuzuar për vrasjen e opozitarit Nemstov.
“Mendoj se i dyshuari ishte torturuar. Kishte shumë plagë në trupin e tij. Ai më tha se e kishin mbajtur të lidhur, dhe se për dy ditë rresht nuk ia kishin hequr thesin nga koka”, tha veprimtari i të drejtave të njeriut, Babushkin, njofton BBC, raporton lajmi.net.
“Ai më tha se pranoi për të folur me shpresë që miku i arrestuar së bashku me të, të shtunën e kaluar, në Çeçeni, do të lirohet. Nga ajo që më tha, nga ajo që pashë, ka arsye për të besuar se i akuzuari Zaur Dadayev u rrëfeu nën torturë”, u ka thënë Babushkin gazetarëve pasi ka dalur nga qendra e paraburgimit ku po mbahen të dyshuarit për vrasjen e opozitarit rus.
“Dadayev më tha se e kishte në plan për të treguar të vërtetën në gjykatë, por kurrë nuk iu dha mundësia për të folur. Ndërsa njeriu i dytë i ngarkuar për vrasjen e Nemstovit, Shagid Gubashev, edhe pse ishte rrahur nga hetuesve e tij vazhdon të deklarohet i pafajshëm”, ka thënë Babushkin.
Opozitari rus, Nemtsov, një politikan veteran liberal dhe kritik i pushtetit, u qëllua në shpinë me katër plumba, më 27 shkurt, derisa po ecte me të dashurën e tij shumë afër mureve Kremlinit. Aleatët e tij fajësojnë pushtetin dhe direkt presidentin rus, Vladimir Putin, të ketë dorë në këtë vrasje, mirëpo ky i fundit është zotuar se do të bëjë “të pamundurën” për të zbardhur rastin.