Opozita kundër Gjykatës Specilale edhe nëse ajo hyn në pako me Ushtrinë e Kosovës
Partnerët e koalicionit duan me çdo kusht ta kalojnë në Kuvend, Gjykatën Speciale. Për këtë obligim ndërkombëtar, që Kosova i hyri vitin e shkuar, opozita vazhdon të jetë kundër edhe nëse kjo do të shkojë në pako me transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura, për të cilën gjë opozita thotë se ka filluar të përmendet nëpër zyrat e partive në pushtet.
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/2015/03/136.jpg)
Lajme
Partnerët e koalicionit qeverisës çdo ditë e më shumë po frikohen nga dështimi për ta formuar Gjykatën Speciale, raporton KTV.
Partitë në qeveri nuk kanë arritur ta bindin ende as Listën Serbe të kthehet në kuvend, votat e së cilës iu duhen domosdoshmërisht, derisa nuk po frikësohen vetëm nga këmbëngulja e opozitës, por edhe nga kundërshtimi i deputetëve të tyre.
Madje partitë opozitare thonë të jetë riaktualizuar ideja që Gjykata Speciale të shkojë në pako me shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura.
Në Vetëvendosje dhe AAK thonë se kjo është e papranueshme dhe pavarësisht kombinimeve që mund t’i bëjnë partitë në pushtet, ata nuk do të pranojnë asnjë kusht.
Ndërkohë, Driton Selmanaj nga KDI-ja ka thënë se nëse partitë në qeverisje po e shohin si prioritet vetëm Gjykatën Speciale, është e papranueshme.
Kryeministri Isa Mustafa ka paralajmëruar ditë më parë se shumë shpejt në Kuvendin e Kosovës do të iniciohen ndryshimet kushtetuese, nga të cilat do të rregullohet themelimi i Gjykatës Speciale.
Ai ka bërë thirrje të vazhdueshme që të votohet për themelimin e kësaj gjykate, në mënyrë që çështja të mos mbetet në duart e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.