Zharku shpall dy tenderë me vlerë 10 mijë euro për zbukurimin e zyrës së tij
Fehmi Mujota e ka përfunduar një mandat në ato zyre e në atë inventar. Por, me të marrë detyrën, Ministri i ri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, ka vendosur të bëjë ndryshime rrënjësore. Për këtë punë Ministria e tij ka shpallur dy tenderë brenda një dite, vlera e të cilëve është 10 mijë euro.
Lajme
Lutfi Zharku nuk po bëhet rehat me inventarin e ish-Ministrit Fehmi Mujota. Ai ka vendosur ta ndërrojë atë komplet. Për këtë punë, ka shpallur dy tenderë, të parët që janë shpallur nga ardhja e tij.
Vlera e këtij investimi do të kapë shumën e 10 mijë eurove. Por, Ministri Zharku nuk ka menduar vetëm për vete. Ai në këtë hov do të investojë edhe në zyrat e zëvendësministrave.
E dy tenderët për këtë punë janë shpallur brenda një dite – sot.
Tenderin e parë të shpallur në KRPP, Ministria e Infrastrukturës e ka emëruar “Ridizajnimi i zyrave të Ministrit dhe Zv. Ministrave të MI”. Vlera e këtij tenderi është fiks 6 mijë e 079 euro. Kompania që do të bëjë furnizimin me inventar është “RISI”, e cila edhe është shpallur fitues në mesin e tre konkurrentëve.
Kurse tenderi tjetër i shpallur nga ministria e Zharkut është “Furnizimi me inventar për Kabinetin e Ministrit”. Vlera e të cilit kap shumën e 3 mijë e 140 eurove. E kompania që do t’i sjellë inventarin për zyrën e ministrit është “Eco Progres “, e cila është shpallur fituese në mesin e tri kompanive garuese për këtë tender.
Lutfi Zharku, që vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka pranuar detyrën si Ministër i Infrastrukturës me 12.12.2014. Deri në këtë kohë me këtë ministri ka qeverisur Fehmi Mujota i Partisë Demokratike të Kosovës.