Bahtiri: Kurrë n’jetë Trepça nuk do të privatizohet (Video)

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i njohur për deklaratat e tija troç, ka thënë se Trepça nuk do të privatizohet asnjëherë, por, ajo do të kthehet në kompani publike.

Lajme

19/01/2015 15:13

Bahtiri i cili ishte i pranishëm sot në Kuvendin e Kosovës kur u mbajt seanca plenare në tentim, tha se shkuarja e tij atje nuk ishte e kotë, por tregonte se po interesohej të dinte se ç’do të ndodhë me Trepçën.

“Ju shumë mirë e dini se prej ardhjes sime edhe gjatë fushatës kam premtuar se ‘Trepça’ do të jetë ndryshe siç është. Dhe, kërkesa ime edhe për qeverinë e mëparshme ka qenë që ‘Trepça’ të bëhet një institucion dhe një kompani publike”, tha Bahtiri.

Bahtiri po ashtu ka theksuar se “kurrë në jetë nuk do të lejojë që Trepça të privatizohet”. Ai shpreson në Qeverinë e Kosovës që do t’i harmonizojë ligjet që do ta ndalojnë privatizimin dhe ta kthejnë atë në ndërmarrje publike.

“Vendimin tim për Trepçën e dini, se asnjëherë, kurrë në jetë s’kemi me leju që Trepça të privatizohet, por të kthehet në kompani publike dhe të funksionojë në mënyrën më të mirë të mundshme”.

“Nuk jam zhgënjyer, është çështje teknike nuk është çështje politike. Po shpresoj se edhe Qeveria edhe Kryesia do t’i harmonizojë ligjet që të ndalet privatizimi dhe të kthehet në ndërmarrje publike”, shtoi kryetari i Mitrovicës.