Presidenca pret edhe një javë për marrëveshjen, zgjedhjet te pragu

Partitë politike kanë kohë edhe javën në të cilën do të hyjmë nesër për t’u marrë vesh për zhbllokimin e situatës politike në Kosovë. Në të kundërtën, Presidentja do t’i nisë konsultimet për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Lajme

02/11/2014 10:53

Vetëm edhe tetë ditë kanë partitë politike për të arritur një marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja. Në të kundërtën, Presidentja do t’i nisë bisedimet me partitë politike për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, shkruan gazeta Express.

Krejt këto lëvizje pritet të ndodhin për të mos lejuar bllokimin financiar të Kosovës në mungesë të buxhetit të miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo, deri më tash asnjë parti politike nuk i ka përkrahur zgjedhjet e reja me arsyetimin se duhet të krijohen institucionet e reja bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të 8 qershorit.

Zyrtarë të Presidencës së Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se java e dytë e nëntorit do të jetë koha e shpallje së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, nëse partitë politike nuk arrijnë të dakordohen për të ecur më tutje në ndërtimin e institucioneve të reja.