Vendi drejt zgjedhjeve të reja?
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur në favor të lëndës së PDK-së, duke anuluar kështu zgjedhjen e Isa Mustafës kryetar të Kuvendit të Kosovës. Ky vendim që vjen një ditë pas seancës dëgjimore të kërkuar nga përfaqësuesja e grupit LDK-AAK-Nisma, Vjosa Osmani, ka ndarë njohësit e çështjeve juridike. Ata mbeten me mendime të ndara për sa i përket asaj se cilët janë hapat e ardhshëm që duhet të ndërmerren.
Lajme
Sipas profesorit universitar Riza Smaka, Gjykata Kushtetuese ka lënë të hapur mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, e të cilat sipas tij, nuk i shkojnë për shtati interesave të vendit.
“Tanimë është hapur dera për mbajtjen e zgjedhjeve të reja që e dëmtojnë Kosovën dhe votuesit, sepse të paktën 10 milionë euro do të shkojnë bosh. Vlerësoj që vendi ynë do të mbetet pa institucione edhe 4 apo 5 muaj”, ka thënë Smaka për gazetën Tribuna.
Ai ka dhënë këtë deklaratë, ndonëse, sipas tij, së pari do të duhej që të dyja palët t’i provonin mundësitë që kanë për të propozuar kryetarin e Kuvendit dhe pastaj mandatarin për formimin e Qeverisë.
“Së pari duhet që koalicioni parazgjedhor të prezantojë kandidatin për kryetar, dhe kjo sikur t’i kishte të paktën 61 vota. Nëse i ka – zgjidhet, nëse jo – vazhdohet tutje dhe pastaj provon blloku paszgjedhor, e në rast se dështon edhe ky, tek atëherë vendi do të duhej të shkonte në zgjedhje të reja. Kjo nuk është në harmoni me Kushtetutën pasi që ajo nuk e përmend as koalicionin parazgjedhor e as paszgjedhor. Sipas pikëpamjes time, kjo është zgjidhje e papërshtatshme për interesat e Kosovës”, ka theksuar Smaka.
Ndërsa, Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, ka thënë që pa u parë në tersi vendimi, ende nuk mund të dihen saktësisht efektet anësore që mund të prodhojë ky vendim i GJK-së.
Por ajo që tashmë mund të kuptohet nga ky vendim, sipas tij, është fakti që vendi nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të paktën jo pa fjalën e Presidentes Atifete Jahjaga.
“Si rezultat i vendimit të gjykatës si i tillë nuk shkohet në zgjedhje të parakohshme. Në zgjedhje të parakohshme shkohet vetëm nëse pas 60 ditëve prej momentit kur Presidentja bën emërimin e parë të mandatarit të qeverisë – nuk bëhet qeveria e re. Në kuptim të këtij vendimi nuk mund të kemi zgjedhje të reja vetëm nëse politikisht Kuvendi e ka të pamundur ta gjejë zgjidhjen politike për zgjedhjen e qeverisë në këto javët e ardhshme”, ka thënë Korenica.