Kush ishin protestuesit ‘misterioz’ që e kallën Mitrovicën?! (Video)

Dje Mitrovica ishte në flakë. Një protestë e nisur e qetë kundër barrikadës së re të vendosur mbi urën e lumit Ibër, në jug të Mitrovicës, nga disa të rinj dhe e përfunduar si e tillë, u pasua nga një protestë tjetër, e cila për dallim nga e para, ishte e tëra e dhunshme. Persona, shumica prej tyre me fytyra të mbuluara me maica dhe pëlhura të ndryshme, hodhën gurë në drejtim të policëve dhe ua vunë flakën disa veturave. 

Lajme

23/06/2014 16:22

Vazhdon ende të mbetet enigmë se kush ishin dhe nga vinin personat që i vunë flakën dje qytetit të Mitrovicës.

Shumë qytetarë të kësaj ane kanë deklaruar se protestuesit e dhunshëm nuk ishin nga Mitrovica, apo të paktën, ishin persona të panjohur më parë për ta.

Këta protestues shkaktuan dhunë edhe ndaj gazetarëve që po përcillnin ngjarjen, duke mos preferuar që të kapeshin nga kamerat e tyre.

Lajmi.net, nga burime brenda një televizioni të madh në vend, mëson se ekipi i tyre ishte ndaluar nga rreth 20 persona, të cilët u ishin kërcënuar se nëse nxirrnin në TV pamje nga protesta dhe fytyrat e protestuesve, do ta pësonin keq.

Policia Rajonale e Mitrovicës ka arritur të arrestojë 13 protestues të dyshuar për përfshirje në dhunën e djeshme.

Zëdhënësi i policisë së Mitrovicës së Jugut, Avni Zahiti i ka thënë lajmi.net se tre persona janë liruar dje pas intervistimit, ndërsa 10 të tjerë janë në mbajtje, me masën e ndalimit prej 48 orë.

Ai nuk ka mundur të japë informacione se prej nga janë personat e arrestuar.

“Hetimi është duke vazhduar për ngjarjen dhe nga grupi hetimor nuk kanë pranuar të bëjnë të ditur se prej nga vijnë personat e arrestuar, të dyshuar për përfshirje në protestën e dhunshme dje gjatë ditës”, ka thënë Zahiti.

Tutje, ai ka shtuar se një ndër arsyet pse nuk po jepet informacioni se prej nga vijnë të dyshuarit, është edhe për të mos i dhënë protestës kahje provinciale apo politike.

Edhe policia ka konstatuar faktin se shumica e protestuesve të dhunshëm kishin të mbuluar fytyrën me maica dhe veshje të tjera të ngjashme.

Zahtiti ka thënë se protesta e parë, e organizuar nga një grup të rinjsh nga Mitrovica, kishte përfunduar e qetë, ndërsa për protestën pasuse, e cila përshkallëzoi në dhunë, policia nuk kishte qenë e njoftuar fare. (lajmi.net)


Police clash with protesters in Kosovo by euronews-en