Ronaldo, i uritur për La Deciman

Cristiano Ronaldo është i uritur më shumë se kurrë për ta fituar trofeun e Ligës së Kampionëve, të dhjetin për Real Madridin. Futbollisti portugez dëshiron ta bëjë këtë në vendin e tij, në Lisbonë.

Sport

15/05/2014 21:06

Cristiano Ronaldo thotë se është ëndërr e tij është ta fitojë Ligën e Kampionëve me Real Madridin.

Gjiganti spanjoll do të përballet me rivalin Atletico Madrid në finale të kompeticionit më prestigjioz evropian në Estadio da Luz në Lisbonë, ndërsa do të mundohet ta fitojë këtë për herë të 10-të në histori.

Ronaldo thotë se Los Blancos kanë besim se mund ta mposhtin ekipin e Diego Simeones.

“Do të jetë një ndeshje speciale, e cila do të zhvillohet në vendin tim. Jam mjaft i lumtur dhe i ngazëlluar. Do të mundohem ta shijoj atë në maksimum, sepse ju nuk e arrini finalen çdo ditë”, deklaroi CR7 në një intervistë për UEFA-n.

“E dimë se do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse Atletico e kishte një vit impresionues. Ata kanë ekip mjaft të mirë dhe një trajner të madh. Mirëpo, ne do të mundohemi të fitojmë dhe ta japim më të mirën”, shtoi ai.

“Ekipi është në rrugë të mirë dhe ka besim. La Decima është momenti të cilin tifozët e Realit janë duke e ëndërruar. Ne jemi të gjithë të përgatitur dhe duhet ta fitojmë atë”, vijoi ai.

“E kam fituar Championsin me Manchester Unitedin dhe tash jam në sezonin e pestë në Real Madrid. E kam ëndërruar gjithmonë ta fitoj këtë kompeticion me këtë klub”.

“Është një trofe për të cilin kemi kaluar vite duke u munduar ta fitojmë. Si rezultat, që nga dita e parë që kemi ardhur këtu, e kemi ndier një presion pozitiv, që është triumfi në Champions”.

“Këtë vit duket se jemi një hap të vogël përpara për ta bërë këtë. Presioni është pjesë e futbollit dhe të qenit lojtar i Real Madridit. Ne jemi mësuar me kërkesat për të fituar gjithmonë, por kjo është OK”, përfundoi Ronaldo.