70 milionë rrugë
Kandidati i LDK'së për Prishtinën, Isa Mustafa, shpalosi sot projektet e infrastrukturës, në vlerë 70 milionë euro.
Lajme
Isa Mustafa deklaroi sot, në vijim të shpalosjes së programit të tij elektoral, se plani është që në Prishtinë do të realizohen projekte afatgjate infrastrukturore.
Kryetari aktual i Kryeqytetit, që po e kërkon mandatin e tretë, realizoi një aktivitet parazgjedhor në lagjen ‘Kalabria’, ku me harta shpalosi projektet e infrastrukturës, që ai tha se parasheh t’i realizojë nëse rikonfirmohet në këtë pozitë.
“Vlera e këtyre projekteve, pa llogaritur shpronësimet, kap shifrën e 70 milionë eurove”.
“Gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës do të realizohen projektet për të hapur hyrjet në Prishtinë, në të katër anët, me nga katër korsi”.
“Në dy vjetët e para të qeverisjes do të ndërtohet një pjesë e Unazës së brendshme, nga udhëkryqi i rrugës për në Gjilan në drejtim të Fushë-Kosovës dhe në drejtim të Gërmisë, e më pas do të ndërtohet pjesa e Unazës nga Fushë-Kosova në drejtim të rrugës së Mitrovicës”.
“Në këtë mënyrë, ne synojmë ta lirojmë Kryeqytetin nga komunikacioni transit, duke mundësuar qarkullim më të mirë brenda qytetit”.
Në të njëjtën kohë, Mustafa tha se do të punohet për realizimin e projekteve të tjera brenda qytetit të Prishtinës.
“Gjatë vitit të ardhshëm do të realizojmë projektin për rregullimin e platosë mbi ‘Kurriz’, si dhe do të punojmë për realizimin e projektit të Bulevardit të vjetër të Prishtinës, si dhe projekte të tjera infrastrukturore, përfshirë përfundimin e rrethrrotullimit në ‘Veternik’, vazhdimin e ndërtimit të rrugës B, ndërtimin e rrugës ‘Enver Maloku’, rrugës te “Fusha e Pajtimit”.
Mustafa tha se Komuna e Prishtinës, gjatë katër vjetëve të kaluara, ka arritur të realizojë mesatarisht nga 90 projekte infrastrukturore, me një shumë totale investimesh në vlerë prej 70 milionë eurosh.
“Kemi realizuar projekte të rëndësishme në kryeqytet dhe në fshatrat e Komunës së Prishtinës, përfshirë 350 kilometra rrugë, 60 kilometra kanalizim dhe 24 kilometra ujësjellës, edhe pse ka qenë përgjegjësi e Ujësjellësit rajonal ‘Prishtina’, projektin e Kolektorit, sheshet e kryeqytetit dhe projekte e tjera të shumta”.