23 persona u lënduan mbrëmë në protestë, 15 prej tyre nga gazi lotsjellës katër me lëndime prerëse
Protesta e cila kishte nisur para 20 ditëve mbrëmë u bë edhe më e zëshme. Si fillim protestuesit nisën të hidhnin në vazhdimësi mjete piroteknike, të prishnin kordonet e vendosura policore në mënyrë që të mos lejonin deputetët e Kuvendit të Kosovës që të largoheshin nga ky objekt. E këto kundërshtime më pas bën që…
Lajme
Protesta e cila kishte nisur para 20 ditëve mbrëmë u bë edhe më e zëshme.
Si fillim protestuesit nisën të hidhnin në vazhdimësi mjete piroteknike, të prishnin kordonet e vendosura policore në mënyrë që të mos lejonin deputetët e Kuvendit të Kosovës që të largoheshin nga ky objekt.
E këto kundërshtime më pas bën që të reagoi edhe Policia e Kosovës.
Policia nisi të hedh gaz lotsjellës, ujë si dhe sprej në drejtim të protestuesve.
Por sa persona u lënduan nga protesta e mbrëmshme që ishte tejet e tensionuar?
Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, njoftoi se nga mbrëmë deri më sot janë gjithsej 23 persona që kanë kërkuar trajtim mjekësor.
“Prej tyre ishin 3 policë, një gazetar dhe personat e tjerë të trajtuar kanë qenë civil. Nga këta 15 prej tyre kanë pasur lëndime nga gazi lotsjellës e 4 kanë qenë me lëndime prerëse, disa në kokë e në pjesë të tjera të trupit. Pas trajtimit në QKUK janë lëshuar në shtëpi”,deklaroi Syla.
Ai tha se mosha e tyre ka qenë e ndryshme, nga mosha adoleshente deri në 50 vjeçar.
Ndryshe mbrëmë në QKUK përfundoi edhe nipi i ish-presidentit Hashim Thaçi, Leutrim Thaçi.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, tha mbrëmë se ai ka përjetuar qarje të thella në kokë si shkak i lëndimeve të marra nga dhuna në protestë./Lajmi.net/