20 vjet pas “Ohrit”, çfarë është zbatuar nga marrëveshja që ndaloi konfliktin ndëretnik?

Politika e qeverisë për të promovuar lëvizjen e lirë në rajon – e njohur gjithashtu si “Ballkani i Hapur”, ka favorizuar rritjen e numrit të turistëvë nga Serbia në Durrës.

Lajme

13/08/2021 23:36

E cilësuar si kontrata për bashkëjetesën mes shqiptarëve dhe maqedonasve në shtetin e Maqedonisë së Veriut, marrëveshja e Ohrit shënon sot 20-vjetorin.

Pas më shumë se 2 muaj negociata, ajo u firmos më 13 gusht 2001 nga përfaqësuesit shqiptarë dhe maqedonas, duke i dhënë fund konfliktit mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave maqedonase.

Ata që vendosën firmën në dokumentin e Ohrit ishin Lupço Georgievski dhe Branko Cërvenkovski nga pala maqedonase dhe Arbën Xhaferi me Imer Imerin në emër të shqiptarëve. Po ashtu pakti u nënshkrua edhe kryetari i shtetit, Boris Trajkovski dhe ndërmjetësuesit euro-amerikanë, Havier Solana, Francois Leotard dhe James Pardew.

Marrëveshja e Ohrit kishte dhjetë pika kyçe, duke filluar me ndërprerjen e konfliktit të armatosur, decentralizimin e pushtetit, si dhe promovimi i zhvillimit harmonik të shoqërisë qytetare, duke respektuar identitetin etnik të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Por 20 vite më pas nga firmosja e këtij dokumenti jetik për shtetin e Maqedonisë së Veriut ende ka debate në lidhje me zbatimin e plotë të të gjitha pikave të marrëveshjes së Ohrit. Së fundi në Maqedoninë e Veriut gjuha shqipe është vendosur si gjuhë zyrtare.

Ky vendim parasheh përdorimin e plotë të gjuhës shqipe si në të shkruar ashtu edhe në folur si në qeveri, Kuvend, organet e pushtetit gjyqësor, administratën publike etj.

Gjithsesi edhe për këtë pikë, vijon të ketë zëra kundërshtues nga komuniteti shqiptar në RMV, duke pretenduar se nuk është implementuar plotësisht.

Sa i përket të drejtave politike, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë arritur të drejtojnë Kuvendin, por pa pasur asnjëherë drejtimin e qeverisë dhe as kreun e shtetit.

Si rezultat i zbatimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit janë miratuar më shumë se 130 ligje dhe ndryshime ligjore.

Prej tyre 59 janë ligje për mos-diskriminim dhe përfaqësim të barabartë, si dhe 40 ligje janë në fushën e identitetit, kulturës, arsimit dhe decentralizimit të pushtetit.