Policia holandeze ndalon protestuesit të mblidhen para Gjykatës Speciale

Autoritetet holandeze kanë rritur masat e sigurisë në Hagë, në pritje të protestës së paralajmëruar nga mërgata shqiptare, e cila do të mbahet sot duke filluar nga ora 14:00. Telegrafi, raporton se policia holandeze i ka ndaluar protestuesit që të mblidhen përpara selisë së Gjykatës Speciale. Protestuesit kanë kaluar pranë ndërtesës së Gjykatës Speciale, për…

Lajme

14/09/2025 13:09

Autoritetet holandeze kanë rritur masat e sigurisë në Hagë, në pritje të protestës së paralajmëruar nga mërgata shqiptare, e cila do të mbahet sot duke filluar nga ora 14:00.

Telegrafi, raporton se policia holandeze i ka ndaluar protestuesit që të mblidhen përpara selisë së Gjykatës Speciale.

Protestuesit kanë kaluar pranë ndërtesës së Gjykatës Speciale, për të vazhduar në lokacionin ku është paraparë të mbahet protesta.

Aty shihen edhe forca të shtuara të sigurisë të autoriteteve holandeze, ku po ashtu janë vendosur edhe bllokada nëpër rrugët ku do të kalojnë protestuesit

Protesta, e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, do të mbahet sot në kryeqytetin e Holandës por ajo nuk do të zhvillohet para Gjykatës, por në një shesh tjetër.

Në mbështetje të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, protesta është thirrur kundër padrejtësive në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Para nisjes së protestës, protestuesit janë mbledhur para gjykatës me thirrjen: “UÇK!”

Protesta zhvillohet vetëm një ditë para nisjes së fazës së re të procesit gjyqësor.

Të hënën, pala mbrojtëse do të fillojë paraqitjen e dëshmitarëve, mes të cilëve pritet të jetë edhe James Rubin, ish-ndihmës sekretar i Shtetit në administratën e presidentit amerikan Bill Clinton, i njohur për rolin e tij diplomatik gjatë luftës në Kosovë.

Ish-krerët e UÇK-së i kanë mohuar akuzat, duke i cilësuar ato politike dhe të padrejta, ndërsa mbështetësit e tyre kanë kërkuar vazhdimisht proces transparent dhe të paanshëm.

“Veriu.info”, ka publikuar disa pamje, ku shihen policët duke ua hequr mbajtësen e pankartave protestuesve.