“Nuk është e Sveçlës, është e shtetit”: Thirrje për të mos i ofenduar policët
Pas protestës së mbrëmshme, ku pati përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës, është bërë thirrje për respekt ndaj pjesëtarëve të Policisë që ishin në kryerje të detyrës. Në reagim është theksuar se Policia e Kosovës nuk duhet të identifikohet me pushtetin apo me politikanët që janë në detyrë, pasi ajo është institucion i Republikës…
Lajme
Pas protestës së mbrëmshme, ku pati përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës, është bërë thirrje për respekt ndaj pjesëtarëve të Policisë që ishin në kryerje të detyrës.
Në reagim është theksuar se Policia e Kosovës nuk duhet të identifikohet me pushtetin apo me politikanët që janë në detyrë, pasi ajo është institucion i Republikës së Kosovës.
“Policia e Kosoves nuk eshte e Sveçles, as e Kurtit, as e cilitdo minister apo kryeminister qe sot apo neser ushtron pushtetin. Ajo eshte Policia e Republikes se Kosoves”, thuhet në reagimin e avokatit Besnik Berisha.
Sipas tij, gjatë protestës pjesëtarët e Policisë nuk u përballën vetëm me mjete piroteknike e sende të forta, por edhe me fyerje e sulme, ndërsa disa prej tyre u lënduan gjatë kryerjes së detyrës.
“E drejta per proteste eshte themelore. Ajo duhet mbrojtur edhe kur protesta drejtohet kunder Qeverise, Kuvendit apo cilitdo vendim politik. Por e drejta per proteste nuk perfshin te drejten per ta sulmuar, poshteruar apo lenduar policin qe ndodhet ne detyre”, ka shkruar Berisha.
Ai ka theksuar se pjesëtarët e Policisë nuk hartojnë politikat e Qeverisë dhe nuk përcaktojnë agjendat politike.
“Polici ne rresht nuk harton politikat e Qeverise. Ai nuk miraton ligje, nuk negocion marreveshje dhe nuk percakton agjenda politike. Detyra e tij eshte ta zbatoje ligjin dhe urdhrin e ligjshem brenda zinxhirit komandues”, thuhet në reagim.
Berisha ka thënë se Policia duhet të kritikohet kur gabon, por pjesëtarët e saj nuk duhet të identifikohen me politikanët që janë në pushtet.
“Policine duhet ta kritikojme kur gabon. Pushtetin duhet ta kritikojme kur tejkalon ligjin. Por policit nuk mund t’ia vendosim mbi uniforme emrin e politikanit qe rastesisht ndodhet sot ne pushtet”, ka shkruar ai.
“Respekt per secilin polic qe mbreme e kreu detyren me profesionalizem dhe u kthye ne shtepi i lenduar, i fyer apo i rraskapitur, por me uniformen e Republikes mbi supe.
Policia e Kosoves nuk eshte e askujt. Eshte e Kosoves”, përfundon reagimi. /Lajmi.net/