Nimani: Mungesa e ambicies po e bën opozitën të pafuqishme ndaj Kurtit

Artan Nimani, nga Nisma Socialdemokrate, ka komentuar situatën politike në vend. Ai tha se, pas një viti të vështirë dhe dështimeve në formimin e Kuvendit, Kurti arriti të përfitojë nga ndihma e presidentes Osmani për të përcaktuar datën e zgjedhjeve dhe për ta kthyer atë në favor të tij politik. Nimani shtoi se, ndonëse LVV…

Lajme

23/02/2026 23:49

Artan Nimani, nga Nisma Socialdemokrate, ka komentuar situatën politike në vend.

Ai tha se, pas një viti të vështirë dhe dështimeve në formimin e Kuvendit, Kurti arriti të përfitojë nga ndihma e presidentes Osmani për të përcaktuar datën e zgjedhjeve dhe për ta kthyer atë në favor të tij politik.

Nimani shtoi se, ndonëse LVV ka krijuar një komoditet të madh me mbi 51% të mbështetjes dhe qeverisjen e vetme, nuk ka treguar pjekuri politike në ruajtjen e partneriteteve me partitë e tjera.

“Zoti Kurti ndodhet në pozicione të tjera politike, pas një sage një vjeçare, pas dështimeve të qëllimta të konstituimin të kuvendit të Kosovës, arriti ta precizojë saktë datën e zgjedhjeve, me ndihmën e presidentes aktuale, zonjës Osmani, dhe e përkthej në favor politik

“Sot LVV ka mbi 51 përqind, dhe e ka krijuar komoditetin që të jetë i vetëm në qeverisje, por nuk ka treguar një pjekuri politike për ruajtjen e partneriteteve me forcat e tjera politike, dhe qëllimi ka qenë t’i dëmtojë forcat e tjera politike që iu kanë afru”, tha Nimani në KlanKosova,

Ai po ashtu kritikoi liderët e opozitës, duke thënë se ata janë të kënaqur vetëm me takimet me Kurtin, duke krijuar përshtypjen se ata janë në pushtet dhe Kurti është opozitë.

“Liderët e opozitës po duket se janë të kënaqur vetëm që janë takuar me zotin Kurti, të krijohet përshtypje që këto janë pushteti, dhe Kurti është opozita”.