Nga procesorët te monitorët gaming, mbi 140 pajisje të padeklaruara kapen në Merdare – vlera rreth 10 mijë euro
Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë parandaluar një rast të tentimit për futjen e mallrave të padeklaruara në territorin e Kosovës. Sipas njoftimit të Doganës, rasti është zbuluar më 3 tetor 2026, gjatë kontrolleve në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar në Merdare. Gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës…
Lajme
Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë parandaluar një rast të tentimit për futjen e mallrave të padeklaruara në territorin e Kosovës.
Sipas njoftimit të Doganës, rasti është zbuluar më 3 tetor 2026, gjatë kontrolleve në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar në Merdare.
Gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe duke përdorur pajisje të specializuara, kanë identifikuar dhe sekuestruar një sasi mallrash të padeklaruara.
Mallrat e sekuestruara, të gjitha të reja, përfshijnë 20 procesorë PURE ROCK PRO3 LX, 8 motherboard MIGRO ATC 128MB, 12 ftohës ajri për procesor SYSTEM POWER 11, 15 kufje për PC me mikrofon, 25 USB Logitech, 24 mausë wireless, 15 mikrofona për PC dhe 24 kabllo për telefon ose PC.
Po ashtu, janë sekuestruar edhe pesë sete monitorësh gaming për PC të markës ALIENWARE, së bashku me pajisjet përcjellëse dhe kabllot.
Sipas Doganës, vlera e përafërt e mallrave të sekuestruara është rreth 10 mijë euro.
Dogana e Kosovës ka thënë se mbetet e përkushtuar në luftimin dhe parandalimin e kontrabandës, evazionit dhe shkeljeve të tjera doganore, duke theksuar bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante. /Lajmi.net/