“Nëna ia preu kordonin, mbylli derën e tualetit dhe foshnjën e lindur e hodhi në koshin e mbeturinave” – Spitali në Ferizaj jep detaje

Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt ka reaguar lidhur me rastin e rëndë të ndodhur në hapësirat e Shërbimit Emergjent, ku një foshnjë ka humbur jetën pas lindjes. Sipas njoftimit të spitalit, pacientja ishte paraqitur në Emergjencë me ankesa për obstipacion (kapsllëk), pa deklaruar se ishte shtatzënë. “Në një moment ajo ka hyrë në tualet duke…

Lajme

07/05/2026 11:51

Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt ka reaguar lidhur me rastin e rëndë të ndodhur në hapësirat e Shërbimit Emergjent, ku një foshnjë ka humbur jetën pas lindjes.

Sipas njoftimit të spitalit, pacientja ishte paraqitur në Emergjencë me ankesa për obstipacion (kapsllëk), pa deklaruar se ishte shtatzënë.

“Në një moment ajo ka hyrë në tualet duke e mbyllur derën. Pas insistimit dhe presionit nga stafi mjekësor, të cilët kishin dëgjuar zërin e një foshnjeje, dera është hapur”, thuhet në reagim, shkruan lajmi.net.

Spitali ka bërë të ditur se nëna dyshohet se kishte prerë kordonin umbilikal të foshnjës dhe e kishte hedhur atë në koshin e mbeturinave, në gjendje të rëndë shëndetësore dhe hipotermike.

Menjëherë, sipas spitalit, janë ndërmarrë masat emergjente për trajtimin e nënës dhe foshnjës, të cilat më pas janë transferuar në repartet e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë.

Në reagim thuhet se ekipi multidisiplinar, me përfshirjen edhe të anesteziologut, ka nisur menjëherë procedurat reanimatore, por pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor, foshnja nuk ka arritur të mbijetojë.

Spitali njofton se menjëherë pas konstatimit të rastit janë informuar Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndërsa në procedurë janë përfshirë edhe inspektorët shëndetësorë dhe ekspertiza mjeko-ligjore.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për obduksion në Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt ka theksuar se është duke bashkëpunuar plotësisht me organet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, ndërsa për shkak të hetimeve në zhvillim nuk janë dhënë detaje shtesë. /Lajmi.net/