Bebe Rexha dhe yje të tjerë do të performojnë live në kinematë AMC në gjithë SHBA-në

Rrjeti i njohur i kinemave AMC Theatres ka njoftuar një partneritet të ri me Arena One, përmes të cilit koncertet live do të transmetohen drejtpërdrejt në ekranet e kinemave në mbarë Shtetet e Bashkuara. Programi i ri, i quajtur “Arena One at AMC”, do të nisë në muajin qershor dhe do të sjellë performanca nga…

ShowBiz

07/05/2026 12:51

Rrjeti i njohur i kinemave AMC Theatres ka njoftuar një partneritet të ri me Arena One, përmes të cilit koncertet live do të transmetohen drejtpërdrejt në ekranet e kinemave në mbarë Shtetet e Bashkuara.

Programi i ri, i quajtur “Arena One at AMC”, do të nisë në muajin qershor dhe do të sjellë performanca nga emra të njohur të muzikës ndërkombëtare, përfshirë Bebe Rexha më 17 qershor, Paris Hilton më 18 qershor, Kim Petras më 19 qershor dhe Maren Morris më 20 qershor.

Koncertet do të transmetohen live në më shumë se 300 lokacione të AMC-së në gjithë vendin, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se emra të tjerë do të shpallen në javët në vijim.

Sipas AMC-së, synimi është që të krijohet atmosfera e një koncerti të vërtetë arena, duke përdorur teknologji interaktive që mundëson transmetimin në kohë reale të reagimeve dhe energjisë së publikut mes sallave të kinemasë dhe artistëve në skenë.

Kjo iniciativë vjen në një kohë kur kinematë po orientohen gjithnjë e më shumë drejt përmbajtjeve alternative për të kompensuar rënien e të ardhurave pas pandemisë dhe reduktimin e numrit të filmave të rinj nga studiot e mëdha.

AMC ka pasur më herët bashkëpunime të suksesshme me Taylor Swift dhe Beyoncé për filmat koncertalë të turneve të tyre, por këtë herë koncertet do të transmetohen drejtpërdrejt.

Çmimet e biletave për “Arena One at AMC” do të variojnë nga 40 deri në 75 dollarë, duke qenë më të lira se koncertet tradicionale, ku biletat shpesh kalojnë 140 dollarë.

Ndërkohë, AMC raportoi rritje të të ardhurave gjatë tremujorit të parë të vitit, duke arritur në 1.04 miliardë dollarë, ndërsa numri i vizitorëve globalë u rrit nga 41.9 milionë në 47.6 milionë spektatorë.