Më pak kerozinë e deklaruar në depo doganore, por më shumë udhëtarë dhe fluturime në Kosovë
Në depo doganore të Kosovës janë deklaruar mbi 42 milionë litra kerozinë (lëndë djegëse e lëngshme që prodhohet nga nafta), gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026. Kjo sasi është më e ulët krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, kur në depo doganore ishin deklaruar mbi 45 milionë litra të këtij karburanti,…
Lajme
Në depo doganore të Kosovës janë deklaruar mbi 42 milionë litra kerozinë (lëndë djegëse e lëngshme që prodhohet nga nafta), gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026. Kjo sasi është më e ulët krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, kur në depo doganore ishin deklaruar mbi 45 milionë litra të këtij karburanti, ndërkohë që Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka vazhduar të regjistrojë miliona udhëtarë dhe mijëra fluturime.
Të dhënat e siguruara nga lajmi.net prej Doganës së Kosovës dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës mundësojnë një pasqyrë të sasive të kerozinës së deklaruar në procedura të ndryshme doganore dhe zhvillimit të trafikut ajror në vend, ndonëse këto shifra nuk mund të lidhen drejtpërdrejt me konsumin real të karburantit nga aeroplanët.
Sipas përgjigjes së Doganës së Kosovës për lajmi.net, sasia e kerozinës së deklaruar si hyrje në depo doganore, nën procedurën IM7, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025 ishte 45 milionë e 244 mijë e 606 litra.
Ndërkaq, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026, kjo sasi ishte 42 milionë e 429 mijë e 736 litra.
Diferenca ndërmjet dy periudhave është 2 milionë e 814 mijë e 870 litra, që përfaqëson një rënie prej rreth 6.2 për qind të sasisë së deklaruar për hyrje në depo doganore.
Megjithatë, Dogana e Kosovës ka sqaruar se kjo diferencë nuk duhet të interpretohet si rënie e importit të kerozinës për nevojat e aviacionit.
Sipas këtij institucioni, destinimi përfundimtar i kerozinës së importuar është aviacioni civil ose misionet ndërkombëtare, ndërsa sasia që hyn në depo doganore më pas mund të shkarkohet përmes procedurës së rieksportit ose lirimit në qarkullim të lirë.
“Si rrjedhojë, konkludimi se ka rënie të importit të kerozinës për nevoja të aviacionit nuk qëndron”, thuhet në përgjigjen e Doganës për lajmi.net.
Institucioni sqaron se për çdo furnizim të avionëve, kompanitë janë të obliguara të paraqesin dokumentacionin përkatës, i cili përmban datën dhe numrin e fluturimit, shenjat identifikuese të fluturakes, sasinë e kerozinës së furnizuar, dokumentin e furnizimit dhe të dhënat e operatorit ajror.
Sipas Doganës, ky dokumentacion mundëson gjurmueshmërinë e karburantit dhe lidhjen e sasive të shkarkuara nga procedurat doganore me furnizimet që realizohen në praktikë.
Një tjetër e dhënë që Dogana ia ka përcjellë lajmi.net lidhet me importin e kerozinës për nevojat e pranisë së faktorit ndërkombëtar.
Për këtë kategori, përmes procedurës IM4, gjatë periudhës janar-qershor 2025 janë importuar 6.8 milionë litra kerozinë, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 kjo sasi ishte 3.6 milionë litra.
Kjo paraqet një diferencë prej 3.2 milionë litrash, apo rreth 47 për qind më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Dogana thekson se kjo rënie duhet të lexohet si ndryshim në vëllimin e furnizimeve të realizuara përmes kësaj procedure dhe jo si rënie e importit të përgjithshëm të kerozinës.
Dogana sqaron se kerozina e importuar përmes kësaj procedure destinohet për nevojat e pranisë ndërkombëtare.
Çfarë tregojnë këto shifra për kerozinën?
Kerozina është karburanti që përdoret nga shumica e aeroplanëve me motorë reaktivë. Ajo njihet edhe si karburant i aviacionit, ndërsa një prej llojeve të përdorura gjerësisht në aviacionin civil është Jet A-1.
Rrjedhimisht, zhvillimi i trafikut ajror dhe furnizimi me këtë karburant janë dy elemente të rëndësishme për funksionimin e aviacionit.
Në rastin e Kosovës, të dhënat e siguruara nga lajmi.net tregojnë se, përderisa gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 është regjistruar një sasi më e ulët e kerozinës së deklaruar për hyrje në depo doganore, Aeroporti i Prishtinës ka vazhduar të shërbejë miliona udhëtarë.
Të dhënat e siguruara nga lajmi.net prej Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” tregojnë se gjatë vitit 2025 janë realizuar gjithsej 29 mijë e 962 fluturime, ndërsa numri i udhëtarëve ka arritur në 4 milionë e 600 mijë e 484.
Kjo shifër e udhëtarëve përfaqëson rritje prej rreth 13 për qind krahasuar me vitin 2024, kur përmes aeroportit kishin kaluar 4 milionë e 82 mijë e 481 udhëtarë.
Edhe të dhënat e publikuara nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës tregojnë rritjen e trafikut ajror gjatë kësaj periudhe.
Sipas këtij institucioni, gjatë vitit 2025 janë realizuar 14 mijë e 981 nisje fluturimesh, 10 për qind më shumë se në vitin paraprak. Kjo shifër i referohet nisjeve, ndërsa të dhënat e operatorit të aeroportit prej 29 mijë e 962 fluturimesh përfshijnë lëvizjet në të dy drejtimet, pra nisjet dhe arritjet.
Gjatë vitit 2025, muajt me aktivitetin më të madh ajror kanë qenë gushti dhe korriku. Në gusht janë regjistruar 513 mijë e 708 udhëtarë, ndërsa në korrik 458 mijë e 348.
Destinacionet me numrin më të madh të udhëtarëve nga dhe drejt Prishtinës kanë qenë Bazeli, Cyrihu dhe Dyseldorfi. Ndërsa, sipas shteteve, Gjermania ka pasur trafikun më të madh, e ndjekur nga Zvicra, Turqia, Austria dhe Britania e Madhe.
Sa u përket kompanive ajrore, GP Aviation ka kryesuar për nga numri i udhëtarëve, e ndjekur nga easyJet, Chair Airlines, Pegasus Airlines, Eurowings dhe Edelweiss.
Trafiku i lartë ajror ka vazhduar edhe gjatë vitit 2026. Sipas të dhënave që Aeroporti i Prishtinës ia ka përcjellë lajmi.net, deri në fund të muajit shtator të këtij viti, numri i udhëtarëve ka arritur në 3 milionë e 517 mijë e 140.
Aeroporti ka bërë të ditur se të dhënat për muajin tetor 2026 ende nuk janë finalizuar.
Ndërkohë, edhe shifrat për periudhën korrik-shtator 2026 tregojnë rritje të aktivitetit të aeroportit. Sipas të dhënave të publikuara nga operatori, gjatë këtyre tre muajve janë shërbyer 1 milion e 402 mijë e 623 udhëtarë, krahasuar me 1 milion e 347 mijë e 633 në periudhën e njëjtë të vitit 2025.
Kjo përfaqëson rritje prej 4.08 për qind. Në të njëjtën periudhë janë realizuar 9 mijë e 486 fluturime, apo 5.47 për qind më shumë se në korrik-shtator të vitit paraprak. /Lajmi.net/