Mbledhja e tretë e Qeverisë, të gjitha vendimet që u morën sot

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar të mërkurën mbledhjen e tretë, në të cilën ka miratuar një varg projektligjesh, vendimesh dhe kërkesash, përfshirë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026, i cili parasheh 102 milionë euro shtesë. Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, këto mjete synojnë përmbushjen e…

Lajme

30/09/2026 17:58

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar të mërkurën mbledhjen e tretë, në të cilën ka miratuar një varg projektligjesh, vendimesh dhe kërkesash, përfshirë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026, i cili parasheh 102 milionë euro shtesë.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, këto mjete synojnë përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe mbulimin e nevojave prioritare të buxhetit për vitin 2026.

Në mbledhje është miratuar edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, i cili, sipas Qeverisë, synon forcimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Po ashtu, është miratuar Projektligji për Menaxhimin e Resurseve Ujore, përmes të cilit përcaktohen rregullat për përdorimin dhe shpërndarjen e ujërave, mbrojtjen e tyre nga dëmtimi dhe ndotja, si dhe masat për mbrojtjen nga përmbytjet. Me këtë projektligj parashihet edhe themelimi i Agjencisë për Menaxhimin e Resurseve Ujore në kuadër të ministrisë.

Qeveria ka miratuar edhe Planin e Veprimit 2026-2028 të Strategjisë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030, si dhe vendimin për themelimin e Grupeve Tematike për rishikimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030.

Në fushën e infrastrukturës, është miratuar rialokimi i 200 mijë eurove për ndërtimin e urës në rrugën “Agron Mehmeti”, në Shtrubullovë të Drenasit.

Gjithashtu, janë rialokuar 1 milion e 80 mijë e 787 euro për projekte në Podujevë dhe Shtime. Në Podujevë, mjetet janë të destinuara për ndërtimin e rrugëve Lluga-Bellopojë dhe Siboc-Dumosh, ndërsa në Shtime për asfaltimin e rrugës së Topillës, Carralevë-Zborc dhe Rancë-Greiçevc.

Qeveria ka miratuar edhe vendime për shpronësime që lidhen me projekte të ndryshme infrastrukturore, përfshirë zgjerimin e rrugës nacionale N2 në hyrje të Ferizajt, zgjerimin e rrugës nacionale M25 Prishtinë–Podujevë, rehabilitimin e rrugës rajonale Gjonaj–Bishtazhin, sanimin e rrëshqitjes së dheut në rrugën Hani i Elezit–Gorancë dhe ndërtimin e Parkut Industrial në Gjakovë.

Në mbledhje është miratuar edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave që preken nga realizimi i projektit të Autostradës “Prishtinë–Gjilan–Dheu i Bardhë”, në segmentin Banullë–Bresalc.

Po ashtu, janë miratuar vendime për shqyrtimin e kërkesave për shpronësim të pronave në Podujevë, për projekte që përfshijnë ndërtimin e Tregut të Kafshëve, Tregut të Gjelbërt, banesave me kosto të përballueshme dhe objekteve edukativo-arsimore e çerdheve.

Në fushën e shëndetësisë, Qeveria ka miratuar kërkesën për autorizimin e Ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës për projektin “Përmirësimi i Kujdesit Shëndetësor Sekondar dhe Terciar”.

Është miratuar edhe nisma për negocimin e një marrëveshjeje kredie me Bankën Evropiane të Investimeve për projektin për pajisje mjekësore dhe përmirësim të infrastrukturës, me qëllim të furnizimit të institucioneve shëndetësore me pajisje të reja mjekësore.

Ndër vendimet e tjera, Qeveria ka miratuar rregulloren për riintegrimin e personave të riatdhesuar dhe Udhëzimin Administrativ për përcaktimin e procedurës së themelimit të parqeve industriale dhe teknologjike.

Në mbledhje janë emëruar edhe komisionet e pranimit për pozitat e larta drejtuese në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, Agjencinë për Regjistrim Civil dhe Agjencinë e Menaxhimit Emergjent.

Qeveria ka ndarë gjithashtu 350 mijë euro për mbështetjen e promovimit ndërkombëtar të filmave kosovarë “Dua” dhe “Shame and Money”, në kuadër të rrugëtimit të tyre drejt Oscar Academy Awards.

Ndër vendimet e tjera është edhe miratimi i Statutit të ndërmarrjes publike qendrore “Korporata e Ruajtjes së Energjisë (KRE)/Energy Storage Corporation” Sh.A., në pronësi të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, është miratuar kërkesa për transferimin e 14 milionë e 767 mijë eurove në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, si dhe rialokimi i 2.5 milionë eurove brenda nënprogramit buxhetor të kësaj ministrie.

Në mbledhje janë miratuar edhe projektligjet për ratifikimin e amendamenteve të marrëveshjeve financiare me Bashkimin Evropian për Programet IPA 2021 dhe 2022, si dhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027. /Lajmi.net/