LDK përsëri e lë jashtë liste Agim Veliun, pavarësisht që ai kërkoi publikisht ta kandidojnë për deputet

Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka publikuar listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Në mesin e 110 kandidatëve, përsëri nuk ndodhet “veterani” i LDK-së, Agim Veliu. Ai nuk u kandidua nga partia në të cilën dha kontribut për shumë vite, as në zgjedhjet e 9 shkurtit, shkruan lajmi.net. Agim Veliu më…

Lajme

07/12/2025 19:07

Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka publikuar listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Në mesin e 110 kandidatëve, përsëri nuk ndodhet “veterani” i LDK-së, Agim Veliu.

Ai nuk u kandidua nga partia në të cilën dha kontribut për shumë vite, as në zgjedhjet e 9 shkurtit, shkruan lajmi.net.

Agim Veliu më 29 nëntor, përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar publikisht që të jetë kandidat për deputet.

Veliu falënderoi anëtarësinë dhe aktivistët e LDK-së për mbështetjen dhe vlerësimin e kontributit të tij gjatë viteve. Ai theksoi se përfshirja në listë nuk është favor personal, por një përgjegjësi dhe vazhdimësi e punës së bërë me përkushtim, si dhe respekt ndaj historisë së partisë dhe qytetarëve që i kanë besuar.

“LDK është shtëpia jonë e përbashkët, ndërtuar me mund, sakrificë dhe besnikëri nga ata që kanë qëndruar aty kur ka qenë më së vështiri dhe vazhdojnë të jenë aty edhe sot”, ka shkruar Veliu në Facebook.

Veliu e konsideroi vendim të padrejtë dhe të dëmshëm mospërfshirjen e tij në listë në zgjedhjet e kaluara. Por këmbëngul se ai vazhdon të punojë në shërbim të LDK-së.

Ai shtoi se dera nuk duhet të hapet për ata që nuk kanë qenë pjesë e partisë, nëse kjo do të sillte lënien jashtë të kontribuesve afatgjatë.

Veliu e përmbylli mesazhin duke theksuar përkushtimin e tij ndaj vlerave të LDK-së dhe gatishmërinë për të vazhduar të japë kontributin e tij për partinë dhe qytetarët.

Agim Veliu shërbeu për disa mandate si kryetar i Podujevës. Ai vendosi të përfshihej në pushtet qendror pas koalicionit të LDK-së me Lëvizjen Vetëvendosje. Në Qeverinë Kurti 1, ai u emërua ministër i Brendshëm. Shkarkimi i Veliut nga Kurti çoi në prishjen e koalicionit mes dy partive.

Me ardhjen e Lumir Abdixhikut si kryetar i LDK-së, Veliu nuk kishte më ndonjë rol brenda partisë. /Lajmi.net/

Lista e plotë e LDK-së: