Kabashi-Ramaj: Kosova po paguan çmimin e një shteti që nuk po lejohet të funksionalizohet
Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, ka folur para foltores së Kuvendit, ndonëse edhe sot nuk është thirrur seanca për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ajo ka thënë se mungesa e institucioneve të konstituuara duhet të alarmojë të gjithë, duke theksuar se deputetët janë zgjedhur për të punuar dhe për t’u marrë me problemet…
Lajme
Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, ka folur para foltores së Kuvendit, ndonëse edhe sot nuk është thirrur seanca për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Ajo ka thënë se mungesa e institucioneve të konstituuara duhet të alarmojë të gjithë, duke theksuar se deputetët janë zgjedhur për të punuar dhe për t’u marrë me problemet e qytetarëve.
“Të dashur qytetarë, edhe sot nuk është thirrur seanca për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Edhe sot Kosova vazhdon pa institucione të konstituuara dhe kjo duhet të na alarmojë të gjithëve”, ka deklaruar Kabashi-Ramaj.
Ajo ka thënë se asnjë fitore zgjedhore nuk i jep askujt të drejtën ta vendosë veten mbi Kushtetutën dhe shtetin.
“Ne jemi zgjedhur për të punuar, por si deputetë, në vend se të jemi në seancë duke u marrë me problemet e juaja, qytetarë, jemi duke kërkuar që shteti të funksionojë. Mbi të gjitha, asnjë fitore zgjedhore nuk i jep askujt të drejtën ta vendosë veten para Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Asnjë lider nuk është mbi shtetin, asnjë parti nuk është mbi Kosovën”, tha ajo.
Kabashi-Ramaj e ka cilësuar situatën aktuale si krizë shtetërore, duke akuzuar partinë që, sipas saj, qytetarët ia kanë dhënë përgjegjësinë për konstituimin e institucioneve se po e mban peng funksionimin e shtetit.
“Ajo që po ndodh këtu është një krizë shtetërore e shkaktuar nga partia të cilës qytetarët ia kanë dhënë përgjegjësinë për t’i konstituuar institucionet, por që në realitet ka vendosur ta mbajë të kapur krejt shtetin tonë peng”, u shpreh deputetja e PDK-së.
Sipas saj, pasojat e kësaj situate po i bartin drejtpërdrejt qytetarët.
“Pasojat i bart pacienti që pret trajtim te mjeku që punon në kushte të vështira, i bart polici, ushtari, zjarrfikësi që mbrojnë vendin, por vazhdojnë pa sigurim të mirëfilltë shëndetësor dhe jetësor. I bart mësuesi e studenti që pyesin a ka të ardhme këtu, i bart fermeri që pret mbështetjen e shtetit”, tha Kabashi-Ramaj.
Në fund, ajo iu drejtua drejtpërdrejt qytetarëve, duke thënë se ata po e paguajnë çmimin e mosfunksionalizimit të institucioneve.
“Ju, qytetarë të Republikës së Kosovës, po e paguani çmimin e një shteti që nuk po lejohet të funksionalizohet”, përfundoi ajo. /Lajmi.net/