Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti i Përgjithshëm e ka shpallur fajtor M.D. për tri vepra penale, “Dhuna në familje”, “Mospërfillja e gjykatës” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.
Për këto vepra, gjykata i ka shqiptuar një dënim unik prej një viti e tre muajsh burgim dhe 500 euro gjobë.
Vendimi është marrë pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor nga gjyqtarja Blerina Kurtaj. Në dënimin me burgim, M.D.-së do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, duke filluar nga 17 shkurti 2026.
Sipas aktgjykimit, M.D. ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij, R.D., në shtëpinë e tyre në fshatin Novosellë e Epërme të Gjakovës, ndërsa në të njëjtën kohë kishte shkelur edhe urdhrin për mbrojtje.
Sipas njoftimit të gjykatës, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me ushqimet, i pandehuri e kishte ofenduar dhe shqetësuar emocionalisht nënën e tij, duke hedhur dhe shkelur me këmbë gjërat ushqimore, si dhe kishte tentuar ta kapte për ta goditur.
“E dëmtuara, nga frika, ishte mbyllur në dhomë dhe kishte njoftuar policinë”, thuhet në njoftim.
Megjithatë, sipas aktgjykimit, pavarësisht urdhrit për mbrojtje, M.D. kishte përsëritur veprimet e dhunshme ndaj nënës së tij, duke i shkaktuar asaj shqetësim të madh emocional.
Rasti kishte kulmuar më 17 shkurt 2026, rreth orës 12:00, kur pas një konflikti tjetër, ai e kishte sulmuar nënën e tij duke e goditur me shuplaka dhe duke e shtyrë.
Si pasojë e shtyrjes, e dëmtuara kishte rënë mbi tavolinë dhe kishte lënduar dorën e majtë.
Gjykata ka konstatuar gjithashtu se, kur nëna e tij kishte kërkuar ndihmë për t’u ngritur për shkak të moshës dhe problemeve me gjunjë, M.D. e kishte goditur me shkelm në trup.
Më pas, sipas aktgjykimit, ai kishte marrë një hekur që përdoret për ndezjen e prushit dhe e kishte kanosur me fjalët: “Të ka ardhur momenti i fundit”.
Si pasojë e sulmit, e dëmtuara kishte pësuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. /Lajmi.net/