OMK reagon pas sulmit ndaj mjekut në Pozheran, kërkon më shumë siguri për personelin shëndetësor

Oda e Mjekëve të Kosovës ka reaguar pas sulmit ndaj mjekut Adnan Çoçaj, i cili më 14 gusht u sulmua nga një pacient në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Pozheran të Vitisë. OMK e ka dënuar ashpër rastin, duke theksuar se dhuna ndaj personelit shëndetësor është shndërruar në një shqetësim serioz dhe kërkon trajtim me…

Lajme

18/08/2026 12:12

Oda e Mjekëve të Kosovës ka reaguar pas sulmit ndaj mjekut Adnan Çoçaj, i cili më 14 gusht u sulmua nga një pacient në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Pozheran të Vitisë.

OMK e ka dënuar ashpër rastin, duke theksuar se dhuna ndaj personelit shëndetësor është shndërruar në një shqetësim serioz dhe kërkon trajtim me prioritet nga organet e drejtësisë.

Sipas Odës së Mjekëve, sulmet ndaj mjekëve gjatë ushtrimit të detyrës duhet të trajtohen me seriozitetin e duhur, ndërsa autorët duhet të përballen me përgjegjësi ligjore.

OMK i ka bërë thirrje Prokurorisë dhe Gjykatave që rastet e sulmeve ndaj mjekëve gjatë ushtrimit të detyrës të trajtohen si sulme ndaj personave zyrtarë dhe që ndaj kryerësve të ndërmerren masat e parapara me ligj.

Po ashtu, Oda ka kërkuar nga institucionet shëndetësore dhe autoritetet përgjegjëse që të ndërmarrin hapa konkretë për rritjen e sigurisë në vendet e punës dhe parandalimin e rasteve të dhunës ndaj mjekëve.

OMK ka theksuar se personeli shëndetësor duhet të jetë i mbrojtur gjatë ushtrimit të profesionit dhe se dhuna nuk duhet të bëhet pjesë e përditshmërisë së tyre. /Lajmi.net/