​I uroi Kurban Bajramin dhe e përqafoi, pastaj dyshohet se e vrau me thikë- Aktakuzë për vrasje të rëndë ndaj A.S në Mitrovicë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet A.S., nën dyshimin për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 27 maj 2026, në rrugën “Adem Voca” në Mitrovicë, në banesën e viktimës me inicialet E.I. Sipas…

Lajme

18/08/2026 12:27

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet A.S., nën dyshimin për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 27 maj 2026, në rrugën “Adem Voca” në Mitrovicë, në banesën e viktimës me inicialet E.I.

Sipas aktakuzës, i pandehuri kishte shkuar në banesën e viktimës, ku ndodheshin edhe një person tjetër, një dëshmitar dhe vajza e tij gjashtëvjeçare. Prokuroria pretendon se, pasi viktima ia kishte hapur derën, A.S. i kishte uruar festën e Kurban Bajramit dhe e kishte përqafuar.

Më pas, sipas aktakuzës, i pandehuri ka hyrë në kuzhinë dhe papritmas ka nxjerrë një thikë, me të cilën dyshohet se e ka goditur viktimën në qafë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Pas këtij veprimi, Prokuroria pretendon se i pandehuri ka tentuar ta sulmojë edhe një person tjetër që ndodhej në banesë. Ky i fundit ka arritur të shmangë goditjen në fyt, por është goditur në fytyrë, duke pësuar lëndime të lehta trupore.

Me ngritjen e aktakuzës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka kërkuar Gjykatës Themelore që A.S. të shpallet fajtor për veprat penale që i vihen në barrë dhe ndaj tij të shqiptohet një dënim në përputhje me ligjin.