Burgimi i përjetshëm: A po e ndal krimin?
Asnjë vendim gjyqësor në botë nuk e kthen në jetë Liridonën”… Kjo fjali e thënë nga vëllai i saj, Leonard Ademaj, e vendos kufirin e drejtësisë: ajo mund të ndëshkojë, por nuk mund të rikthejë jetën. Megjithatë, në një vend ku dhimbja për kohë të gjatë mbetet pa përgjigje, vendimi për burgim të përjetshëm për vrasësit e…
Lajme
Asnjë vendim gjyqësor në botë nuk e kthen në jetë Liridonën”…
Kjo fjali e thënë nga vëllai i saj, Leonard Ademaj, e vendos kufirin e drejtësisë: ajo mund të ndëshkojë, por nuk mund të rikthejë jetën.
Megjithatë, në një vend ku dhimbja për kohë të gjatë mbetet pa përgjigje, vendimi për burgim të përjetshëm për vrasësit e Liridona Ademajt shihet si një hap – i vogël, por i rëndësishëm – drejt një lloj drejtësie.
Mbrëmjen e 29 nëntorit 2023, në një rrugë të fshatit Bërnicë në Prishtinë, Liridona Ademaj u vra në praninë e dy fëmijëve të saj.
Rasti tronditi opinionin publik dhe u shndërrua në një simbol të dhunës ekstreme dhe të kërkesës për drejtësi.
Më 21 prill 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli fajtorë tre persona për këtë vrasje: bashkëshortin e saj, Naim Murseli, si dhe Granit Plavën e Kushtrim Kokallën.
Dy të parët u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa i treti me 30 vjet burgim.
“Sadopak ka lehtësuar dhimbjen e familjes”, thotë Ademaj për Radion Evropa e Lirë.
Por, ai e di se procesi nuk përfundon këtu. Mbrojtja ka paralajmëruar ankesë dhe rasti pritet të kalojë në Gjykatën e Apelit dhe atë Supreme.
“Shpresojmë që edhe instancat më të larta ta konfirmojnë këtë vendim. Vetëm dënime të tilla mund të ndalin vrasjet e nënave dhe motrave tona”, thotë Ademaj.
Dënim i rëndë, por jo gjithmonë përfundimtar
Burgimi i përjetshëm është dënimi më i rëndë në sistemin penal të Kosovës.
Që nga hyrja në fuqi e Kodit Penal në vitin 2013, ai është shqiptuar në 13 raste.
Sipas të dhënave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, në shumicën dërrmuese – 12 prej tyre – bëhet fjalë për vrasje të rënda, ndërsa vetëm një rast lidhet me terrorizëm.
Ligji e parasheh këtë dënim për 36 vepra penale të kryera në rrethana rënduese, përfshirë gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe tradhtinë ndaj shtetit.
Megjithatë, praktika tregon se rruga deri te një vendim përfundimtar është e gjatë dhe e pasigurt.
Dënimi i parë me burgim të përjetshëm, i shqiptuar në vitin 2015 për vrasje të rëndë, u zbut më pas nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme në 25, respektivisht 22 vjet burgim.
Sipas Flamur Kabashit nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), përdorimi i këtij dënimi është shtuar në vitet e fundit.
“Sipas monitorimeve tona, kohët e fundit kemi parë shtim të shqiptimeve me burgim të përjetshëm. Por, vendimet marrin formë të prerë vetëm kur konfirmohen nga shkalla e dytë”, thotë Kabashi për Radion Evropa e Lirë.
Në disa raste, më shumë se një person dënohet me burgim të përjetshëm në të njëjtin proces.
Vetëm përgjatë vitit të kaluar u shqiptuan tri dënime të tilla.
Në maj të vitit 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me burgim të përjetshëm vëllezërit Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të akuzuar për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.
Vendimi u konfirmua edhe nga Gjykata e Apelit në prill të këtij viti.
Po këtë prill, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën për vrasjen e Liridona Ademajt.
Në fund të prillit, Gjykata Themelore dënoi me burgim të përjetshëm edhe Bllagoje Spasojeviqin dhe Dushan Maksimoviqin për kryerje të veprës terroriste, të ndërlidhur me cenimin e rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
Drejtësia nën presion dhe në dilemë
Me gjithë këto zhvillime, ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, vlerëson se burgimi i përjetshëm rrallëherë ka marrë formë përfundimtare.
“Sot për sot, vetëm një rast mund të konsiderohet i prerë – rasti i Dardan Krivaqës”, thotë ai, duke shtuar se edhe ky rast mbetet juridikisht i hapur për sfidim.
Dardan Krivaqa është shpallur fajtor për vrasjen e Marigona Osmanit në vitin 2021, në të tria shkallët e sistemit gjyqësor.
Gjykata Supreme e ka konfirmuar vendimin, megjithatë, sipas praktikës procedurale, rasti ende mund të jetë objekt i kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë.
Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë edhe avokati mbrojtës i Krivaqës, Skender Musa, i cili thotë se po përgatitet një kërkesë e tillë.
“Jemi duke e përgatitur kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, e cila lidhet kryesisht me dënimin me burgim të përjetshëm, të shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë dhe të konfirmuar nga gjykata e shkallës së dytë dhe ajo Supreme”, shpjegon Musa.
Ai thotë se gjatë procesit janë shkelur procedurat në ekspertizën ligjore dhe shton se, nëse Gjykata Supreme nuk e kthen rastin në rigjykim, mbrojtja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Kabashi, nga IKD-ja, sqaron se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë përbën një instancë të jashtëzakonshme, e cila mund të ndikojë në ndryshimin e vendimit përfundimtar nëse konstatohet shkelje ligjore.
“Të njëjtën instancë gjyqësore mund ta shfrytëzojnë edhe vëllezërit Vllasaliu”, thotë ai.
Në disa raste të tjera, dënimet me burgim të përjetshëm janë zbutur nga Gjykata e Apelit ose Gjykata Supreme, duke u zëvendësuar me dënime deri në 35 vjet burgim.
Nga 13 raste të regjistruara me burgim të përjetshëm, vetëm një ka përfunduar me lirimin e të akuzuarit.
Në prill të vitit 2023, Gjykata Supreme e shpalli të pafajshëm Naser Pajazitin, i cili fillimisht ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitit në vitin 2015.
A e ndal krimin burgimi i përjetshëm?
Në teori, çdo dënim penal synon parandalimin – si të individit, ashtu edhe të shoqërisë në tërësi. Por, në praktikë, efektiviteti i burgimit të përjetshëm mbetet i diskutueshëm.
Të dhënat e Policisë së Kosovës, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, tregojnë se nga viti 2013 deri në vitin 2025 janë regjistruar 411 vrasje të të gjitha llojeve. Nëse përfshihen edhe vitet para hyrjes në fuqi të këtij dënimi, numri total i vrasjeve në 25 vjet arrin në 1.558.
Vetëm brenda një dite të javës së kaluar u raportuan dy vrasje – një në Prishtinë, një në Mitrovicë të Jugut.
Për ekspertët, këto shifra nuk tregojnë ndonjë efekt të qartë parandalues.
“Fakti që në pesë vjetët e fundit janë shtuar dënimet e tilla, nuk dëshmon domosdoshmërisht efekt parandalues. Kryerësit e veprave vazhdojnë të kryejnë krime të rënda”, thotë Kabashi.
Edhe Hasani ndan të njëjtin qëndrim: “Nuk kam vërejtur ndonjë efekt konkret nga ky dënim në praktikë”.
Ndikimi i opinionit publik
Në sallat e gjyqit, vendimet duhet të varen vetëm nga provat dhe ligji. Por, jashtë tyre, një tjetër zë shpesh bëhet i pamohueshëm: opinioni publik.
Ish-Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, thotë se rastet që marrin vëmendje të madhe mediatike dhe publike shpesh krijojnë një lloj presioni të heshtur edhe mbi sistemin e drejtësisë.
“Kemi përshtypjen se sa herë që raste të tilla dominojnë në opinionin publik, kjo reflektohet edhe në qasjen e sistemit gjyqësor. Vërehet një kujdes i shtuar dhe një vëmendje e posaçme për rastet që kanë zgjuar interes publik. Kështu nuk do të duhej të ishte”, thotë Jashari, duke theksuar se gjykatat duhet të veprojnë të pavarura dhe të paanshme.
Në të njëjtën linjë, ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, pranon se ndikimi i opinionit publik dhe mediave nuk është gjithmonë i shmangshëm.
“Jam i bindur që në disa raste ka pasur ndikim të mediave dhe opinionit publik”, thotë ai, por shton se kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht padrejtësi në vendimmarrje.
Për avokatin Musa, ky presion ndihet më së shumti në anën e mbrojtjes. Ai thotë se proceset për vepra të rënda penale, sidomos ato që mund të përfundojnë me burgim të përjetshëm, zhvillohen në një atmosferë të rënduar jo vetëm juridike, por edhe shoqërore.
“Në radhë të parë, avokati duhet të luftojë me vetveten. Duhet të shmangë çdo element subjektiv dhe të fokusohet vetëm në prova, dispozita ligjore dhe doktrinën juridike. Është jashtëzakonisht sfiduese”, thekson ai.
Përveç presionit publik, këto procese karakterizohen edhe nga kohëzgjatja e tyre.
Sipas Musës, rastet dallojnë për nga kompleksiteti, por mesatarisht një proces për vrasje që mund të përfundojë me burgim të përjetshëm zgjat nga 12 deri në 36 muaj. Ndërsa, përfundimi i të gjitha procedurave, përfshirë ankesat dhe rigjykimet e mundshme, mund të zgjasë deri në pesë vjet.
Një sistem që kërkon më shumë se ndëshkim
Përtej debatit mbi dënimin, problemi duket të jetë më i thellë. Sipas Jasharit, mungesa e harmonizimit të politikave ndëshkuese krijon pabarazi dhe cenon sigurinë juridike.
Në praktikë, gjykata të ndryshme mund të shqiptojnë dënime të ndryshme për vepra të ngjashme, duke minuar besimin e qytetarëve në drejtësi.
“Në një shtet normal, këto situata nuk guxojnë të ndodhin, sepse kërcënojnë një prej parimeve themelore të sistemit të drejtësisë, që ka të bëjë me atë që njihet si siguri juridike”, thotë Jashari.
Hasani, nga ana tjetër, thekson se lufta kundër kriminalitetit nuk mund të mbështetet vetëm në dënime të rënda.
Faktorë të tjerë – socialë, ekonomikë dhe edukativë – luajnë një rol po aq të rëndësishëm në parandalimin e krimeve.
Korniza ligjore
Kodi Penal i Kosovës parashikon që burgimi i përjetshëm nuk mund t’u shqiptohet personave nën moshën 21 vjeç në momentin e kryerjes së veprës.
Po ashtu, personat e dënuar me këtë masë fitojnë të drejtën për kërkesë për lirim me kusht pas së paku 30 vjetësh burgim.
Deri më sot, asnjë i dënuar nuk e ka shfrytëzuar këtë të drejtë, kryesisht për arsye procedurale dhe kohore.
Dhe, ndërsa sistemi vazhdon të kërkojë balancën mes ndëshkimit dhe parandalimit, familja Ademaj mbetet me një realitet të pandryshueshëm.
“Fëmijët e Liridonës nuk do ta shohin më nënën e tyre”, thotë Leonard Ademaj. REL