AUV gjeti vaj palme në disa produkte të qumështit – çfarë rreziqesh mund të ketë për shëndetin?
Rezultatet e kontrolleve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, të publikuara së fundmi, kanë nxjerrë në pah praninë e vajit të palmës të padeklaruar në disa produkte të qumështit në Kosovë. Nga 93 mospërputhje të identifikuara gjatë analizave laboratorike, 46 lidhen pikërisht me praninë e vajit të palmës, raporton lajmi.net Por, çfarë është vaji i…
Lajme
Rezultatet e kontrolleve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, të publikuara së fundmi, kanë nxjerrë në pah praninë e vajit të palmës të padeklaruar në disa produkte të qumështit në Kosovë.
Nga 93 mospërputhje të identifikuara gjatë analizave laboratorike, 46 lidhen pikërisht me praninë e vajit të palmës, raporton lajmi.net
Por, çfarë është vaji i palmës dhe pse përdorimi i tij në produktet ushqimore ka ngjallur debat?
Vaji i palmës është një nga vajrat bimore më të përdorura në industrinë ushqimore në botë. Ai përftohet nga pema Elaeis guineensis, e cila e ka origjinën në Afrikën Perëndimore, ndërsa sot pjesa më e madhe e prodhimit botëror vjen nga Malajzia dhe Indonezia.
Ky vaj përdoret gjerësisht në industri për shkak të kostos së ulët, jetëgjatësisë që u jep produkteve dhe strukturës së tij, duke u shtuar në produkte si qumështi, djathi, gjalpi, margarina, biskotat, çokollatat, drithërat, gjalpi i kikirikut dhe ushqime të tjera të përpunuara.
Sipas ekspertëve të ushqimit, një nga arsyet pse përdoret në produktet e qumështit është zëvendësimi i një pjese të yndyrës shtazore me yndyrë bimore, çka ul kostot e prodhimit.
Megjithatë, vaji i palmës vazhdon të jetë objekt debatesh për ndikimin e tij në shëndet.
Ai përmban mbi 50 për qind yndyrna të ngopura, të cilat, sipas studimeve të ndryshme shkencore, mund të ndikojnë në rritjen e kolesterolit LDL (“kolesteroli i keq”) dhe të rrisin rrezikun për sëmundje kardiovaskulare, diabet dhe probleme të tjera metabolike, veçanërisht kur konsumohet në sasi të mëdha dhe në mënyrë të vazhdueshme.
Një lugë gjelle vaj palme (rreth 14 gramë) përmban rreth 114 kalori dhe 14 gramë yndyrë, nga të cilat afërsisht 7 gramë janë yndyrna të ngopura.
Ekspertët theksojnë se përdorimi i vajit të palmës nuk është domosdoshmërisht i ndaluar, por ai duhet të deklarohet qartë në etiketën e produktit, në mënyrë që konsumatorët të kenë informacion të saktë për përbërjen e ushqimit që blejnë.
Pikërisht mungesa e deklarimit është një nga gjetjet kryesore të AUV-it në kontrollet e fundit, ku në disa produkte u konstatua prania e vajit të palmës të padeklaruar, duke ngritur shqetësime për transparencën ndaj konsumatorëve./Lajmi.net/