Prokuroria Speciale ngre aktakuzë të re ndaj Naser Hafizit për tri vepra penale

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur një aktakuzë të re ndaj Naser Hafizit, ish-zyrtar i Ministrisë së Mjedisit, për tri vepra penale. Sipas komunikatës së Prokurorisë Speciale, Hafizi akuzohet për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Shpëlarja e parave” dhe “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i…

Lajme

01/10/2026 15:49

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur një aktakuzë të re ndaj Naser Hafizit, ish-zyrtar i Ministrisë së Mjedisit, për tri vepra penale.

Sipas komunikatës së Prokurorisë Speciale, Hafizi akuzohet për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Shpëlarja e parave” dhe “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Hafizi ishte arrestuar në vitin 2024 lidhur me aferën e faljes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit.

Sipas aktakuzës së re, gjatë viteve 2021-2023, në cilësinë e personit zyrtar në Ministrinë e Mjedisit, ai dyshohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë prej 15 milionë e 752 mijë e 486 euro.

Prokuroria Speciale thotë se Hafizi akuzohet se nuk i ka dërguar të gjithë operatorët ekonomikë në vlerësim të Grupit Punues Ministror.

“Ndërsa, pas pranimit të raportit nga ky grup, N.H operatorët me qëllim të favorizimit i ka selektuar në tri grupe, duke u mundësuar që detyrimet financiare të përcaktoheshin mbi bazën e raportimeve të tyre të paverifikuara. Po ashtu, i pandehuri nuk i ka zbatuar vlerësimet e Grupit punues, në caktimin e borxheve të operatorëve, duke i zvogëluar detyrimet financiare për shfrytëzimin e ujit”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.

Në të njëjtën ditë, Prokuroria Speciale ka njoftuar edhe për ngritjen e një aktakuze ndaj Izedin Bytyqit, ish-zëvendëssekretar i Ministrisë së Mjedisit, për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Rasti ndaj Hafizit dhe ai ndaj Bytyqit janë dy aktakuza të ndara, sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale. /Lajmi.net/