​Kroacia hap kufijtë e saj brenda BE në mes të qershorit

Kroacia planifikon të hapë kufijtë e saj për qytetarët e vendeve të Bashkimit Evropian më 15 ose 16 qershor, tha sot ministri i Turizmit, Geri Kapel.

Bota

04/06/2020 16:09

“Ne të gjithë duam që turizmi të fillojë, situata epidemiologjike gjithashtu duhet të jetë nën kontroll. Edhe nëse i hapim kufijtë, unë pres që disa vende do të kenë kufizime. Ne po punojmë për hapjen e kufijve më 15 qershor. Bëhet fjalë për hapjen e kufijve për të gjitha vendet e BE, jo vetëm ata në zonën Shengen,” tha Kapel.

Ai shtoi se vendimi zyrtar nuk është marrë ende dhe njoftoi se takimi i anëtarëve të BE do të mbahet më 19 qershor.

Sa i përket kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian dhe fluturimeve kontinentale, Kapel tha se ato do të hapen më 1 korrik, ekskluzivisht për vendet që do të kenë një situatë të mirë epidemiologjike.